Gruda: Kryetarët e PDK-së në komunat veriore i mori Policia, nuk kanë bërë kërkesë për përcjellje

Përparim Gruda, juristi nga radhët e PDK-së, ka thënë se kryetarët e sapozgjedhur në komunat veriore nga kjo parti nuk kanë bërë kërkesë që të përcillen nga Policia për  të hyrë në objektet komunale.

Ai në emisionin ‘Kallxo Përnime’ tha se Policia i kanë marrë dhe u kanë thënë se po i dërgojnë në zyrë.

“Policia kanë shkuar i kanë marrë dhe u kanë thënë se do i dërgojnë në zyrë. Ata kanë shkuar të ushtrojnë mandatin. Kryetarët nuk i kanë bërë asnjë kërkesë Policisë, u kanë thënë hajdeni se do merrni mandatin”- është shprehur ai.

E gjitha kjo kishte ndodhur përkundër kërkesës së ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili ka deklaruar se nuk duhet bërë hyrja me dhunë në objektet e komunave, por funksioni të kryhet nga objekte alternative.

Gruda më pas tha se në takim të hënën me ambasadorin kanë qenë vetëm kryetarët e PDK-së.

“Çfarë mëkati kanë bërë? Të dy kryetarët tonë kanë shkuar në takim më ambasadorin amerikan”- u shpreh tutje ai.