Flamuri i NATO-s

Kosova apo Serbia më afër NATO-s, ky është shpjegimi i zyrtarit të Aleancës Veri-Atlantike

Një deklaratë e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, në televizionin shtetëror serb RTS se “Serbia është shumë më afër NATO-s sesa Kosova” ka ngjallur reagime të ndryshme në Kosovë dhe jo vetëm.

Një zyrtar i NATO-s ka shpjeguar për KALLXO.com se ku qëndrojnë Kosova e Serbia në raport me Aleancën Veri-Atlantike.

Zyrtari tha se NATO vlerëson aspiratat euro-atlantike të Kosovës, duke inkurajuar institucionet e vendit që të demonstrojnë fleksibilitet dhe përparim në dialogun me Serbinë.

“Këtu (dialogu) duhet të jetë fokusi. Kjo do të ndihmojë për të forcuar aspiratat euro-atlantike të Kosovës dhe për të konsoliduar sigurinë në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”- tha zyrtari i NATO-s që foli në kushte anonimiteti për Kallxo.com.

Sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, zyrtari tha se kjo kërkon konsensus nga të gjithë aleatët.

Ndërsa, sa i përket raporteve me Serbinë, zyrtari tha se NATO ka një partneritet afatgjatë me Serbinë, bazuar në dialogun politik dhe bashkëpunimin praktik, “dhe në respekt të plotë të politikës së deklaruar të Serbisë për neutralitet ushtarak”.

“Ka shumë fusha ku ne kemi zhvilluar bashkëpunim të shkëlqyer gjatë 17 viteve të fundit, duke përfshirë sigurinë energjetike, kundër terrorizmit dhe kundër rreziqeve kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore”- thuhet në përgjigjen e tij për KALLXO.com.

Zyrtari shtoi se NATO gjithashtu ndihmon Serbinë të trajnojë forcat e saj për vendosjen e tyre në operacionet paqeruajtëse ndërkombëtare, të udhëhequra nga BE-ja dhe OKB-ja, dhe të zhvillojë më tej sistemin e saj arsimor të mbrojtjes.

Jamie Shea, ish-zëdhënësi i NATO-s në kohën e bombardimeve të caqeve ushtarake serbe gjatë luftës në Kosovë më 1999, tha për Kallxo.com më 21.03.2024, që NATO e ka një program të përbashkët aktivitetesh me Kosovën, por se sipas tij, aktualisht është më i kufizuar, kryesisht për shkak se katër anëtarë të NATO-s ende nuk e njohin Kosovën.

Serbia, siç thotë Shea, nuk e ka ndërmend të aplikojë në NATO, ndërsa Kosova po. Duke qenë kështu, ai uron që Kosova të anëtarësohet sa më shpejt në NATO.

Megjithatë, sipas tij, Serbia është zyrtarisht pjesë e Partneritetit për Paqe të NATO-s, e për këtë arsye i jep asaj qasje në një menu më të madhe të aktiviteteve të bashkëpunimit sesa Kosovës.

Me deklarimin e Hillit nuk është pajtuar as ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

“Unë dua të kundërshtojë këta që duan të bëjnë krahasime se kush ku është duke qëndruar në raport me kënd”- deklaroi Hovenier për media më 20.03.2024.

Hovenier u është përgjigjur edhe deklaratave kërcënuese të Aleksandër Vuçiqit, duke ia rikujtuar atij se në Kosovë është NATO-ja.

Ndërsa në një deklarim para mediave më 20.03.2024, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka theksuar se ata që thonë se Serbia është afër NATO-s përveç që fyejnë shtetet demokratike, fyejnë edhe viktimat e Serbisë së Millosheviqit.

“Serbia është shtet që ka kryer krime lufte dhe akoma fle mbi varreza masive  Kështu që më lejoni të them troç: kushdo që e konsideron Serbinë që është shtet që është afër NATO-s nuk e ofendon vetëm çdo shtet demokratik që po bën hapa konkret drejt anëtarësimit në NATO, por njëkohësisht i ofendon edhe viktimat e Serbisë së Millosheviqit”- tha Osmani.