Ambasadori William Walker: Burimi i fotos - Zëri i Amerikës

Gruaja e ish-ambasadorit William Walker po trajtohet në Emergjencë të Komunës së Vitisë

Gruaja e ish-ambasadorit William Walker për shkak të një problemi shëndetësor është duke u trajtuar në Emergjencë të Komunës së Vitisë të shtunën, më 17.01.2026.

Këtë e ka thënë kryeministri në detyrë Albin Kurti në Akademinë e “Flakës së Janarit”, që u mbajt në Teatrin e Qytetit në Gjilan.

Në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit është cituar Kurti se ka thënë “Me këtë rast i bashkëngjitem urimeve për shëndetin e gruas së tij, e cila për shkak të një problemi shëndetësor ndoshta edhe arrest kardiak është duke u trajtuar në emergjencë në komunën e Vitisë dhe shpresojmë në rikuperim të plotë dhe të shpejtë të saj.”

Në anën tjetër, Manifestimi mbarëkombëtar kulturor, “Flaka e Janarit 2026” ka nisur të dielën, më 11 janar 2026, me homazhet tek kompleksi i varrezave të dëshmorëve në Gjilan dhe me aktivitete tjera që kulmuan me ndezjen e flakadanit në mbrëmje.

Manifestimi “Flaka e Janarit” mbahet në kujtim të heronjve të Kosovës dhe fillimi i tij përkon me përvjetorin e vrasjes së heronjve Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, më  11 janar 1984, gjatë një përleshje me forcat serbe në Prishtinë.

Manifestimi “Flaka e Janarit” organizohet nga Komuna e Gjilanit.

Edicioni i 35-të i “Flakës së Janarit” mbyllet me Gala mbrëmje që mbahet më 31 janar 2026, kur edhe do të ndahen çmimet e festivalit.