foto; Denis Sllovinja
Grevë e disa punëtorëve të Teknologjisë Informative të UP-së, kërkojnë rregullimin e koeficientit të pagës
Disa punëtorë të Teknologjisë Informative (IT) të Universitetit të Prishtinës (UP) janë në grevë që nga data 24.11.2025.
Safet Thaçi, ushtrues i detyrës së sekretarit të përgjithshëm të UP-së, ka thënë për KALLXO.com se fillimisht më 17.11.2025 nga punonjësit e IT-së janë njoftuar për grevë paralajmëruese për një orë në ditë.
Sipas Thaçit, këta punëtorë po kërkojnë zbatimin e pozitave të tyre si ekspertë të Teknologjisë Informative, të cilat i kanë të njohura përmes një vendimi të Këshillit Drejtues të UP-së të datës 27.09.2024.
“Me datë 21.11.2025, përmes e-malit jemi njoftuar se disa nga Departamenti i IT-së në UP do të fillojnë grevën treditore duke filluar nga data: 24.11.2025.” – ka thënë Thaçi më 10.12.2025.
Ai ka treguar se UP ka gjithsej 19 punonjës të IT-së, kurse nga informacionet që i kanë dhënë 16 prej tyre janë paraqitur për rregullim të koeficientit të pagës.
Më 10.12.2025, KALLXO.com e ka telefonuar Hajrullah Hajrullahun, ushtruesin e detyrës së drejtorit të Departamentit të Teknologjisë së Informacionit në UP, dhe e ka pyetur për kërkesat e punëtorëve që janë në grevë, por ai ka kërkuar që këtë javë të mos deklarohen pasi po shpresojnë se këtë javë do të përfundojë greva.
Ndërsa, Drilona Hamiti, kryetare e Parlamentit Studentor të UP-së, ka thënë se kanë pranuar disa ankesa nga studentët për mungesën e shërbimeve të teknologjisë informative.
“Normal që ka ankesa se mbesin mbrapa për punën e SEMS-it (Sistemit Elektronik për Menaxhimin e Studentëve) e krejt, po edhe jemi në përkrahje të [punëtorëve] IT-ve pa dyshim… Nuk kam shumë informata a janë për krejt [fakultetet], po në shumicën po” – ka deklaruar Hamiti më 10.12.2025.
Hamiti ka treguar se kanë publikuar një reagim si Parlament Studentor, në të cilin shprehin përkrahjen e tyre për punëtorët e Departamentit të Teknologjisë Informative në UP.
“Ne, studentët e Universitetit të Prishtinës, të vetëdijshëm për rëndësinë e funksionimit të pandërprerë dhe profesional të shërbimeve teknologjike në institucionin tonë, deklarojmë përmes kësaj shkrese mbështetjen e plotë për kërkesat ligjore dhe të merituara të Departamentit të Teknologjisë Informative, veçanërisht Administratorëve të Sistemeve, të cilët për shumë vite kanë mbajtur barrën kryesore të digjitalizimit, mirëmbajtjes dhe avancimit të infrastrukturës kritike teknologjike të UP-së.” – thuhet në reagimin e Parlamentit Studentor më 25.11.2025.
Kurse, Thaçi ka shpjeguar se Komisioni qeveritar për vlerësimin e sistemeve shtetërore të informacionit dhe komunikimit, në kuadër të Qeverisë së Kosovës, përmes vendimit të datës 12.10.2023, ka paraparë vetëm dy pozita për këtë kategori të punëtorëve, të cilat janë: administrator i lartë i rrjetit dhe administrator i lartë i Teknologjisë Informative për sisteme.
Në bazë të vendimit të Këshillit Drejtues të UP-së të datës 27.09.2024, ai ka thënë se UP më 12.12.2024 i është drejtuar Komisionit qeveritar me kërkesë për plotësimin e pozitave të ekspertëve që janë: administrator i lartë i IT-së për sisteme një pozitë, administrator i IT-së për sisteme 15 pozita dhe specialist i IT-së për ID kartela, një pozitë. Por, sipas tij, nuk kanë marrë përgjigje nga Komisioni.
Sa u përket shërbimeve të Teknologjisë Informative, Thaçi ka thënë se janë duke u kryer me kapacitetet të limituara, pasi që dy zyrtarë të IT-së janë duke kryer shërbime, si dhe nga mirëmbajtësi i sistemit janë duke u kryer shërbime për studentë.
“Universiteti i Prishtinës me shkresën nr. 3/912 dt. 11.11.2025 dhe me shkresën nr. 4/131 dt. 26.11.2025, i është drejtuar edhe një herë Komisionit qeveritar të lartcekur i cili vepron në kuadër të MPB-së, për një përgjigje në lidhje me po ato pozitat… Deri më tani jemi në një pritje të përgjigjes nga ky Komision” – ka treguar Thaçi.
Thaçi ka shtuar se UP i ka dërguar formularët me kategori të ekspertëve për punonjësit e IT-së, por Ministria e Financave nuk e ka ekzekutuar pagën e tyre në bazë të kësaj pozite pa rekomandimin e Komisionit për vlerësimin e sistemeve shtetërore të informacionit dhe komunikimit me rëndësi strategjike.
KALLXO.com e ka pyetur Qeverinë e Kosovës nëse Komisioni i saj e ka trajtuar kërkesën e UP-së për këtë kategori të punëtorëve dhe është në pritje të përgjigjeve.
Në anën tjetër, KALLXO.com e ka siguruar vendimin e Këshillit Drejtues të UP-së të datës 27.09.2024, në të cilin është plotësuar klasa dhe koeficienti i pagës për tetë pozita të Departamentit të Teknologjisë Informative në bazë të Rregullores të datës 29.08.2024 për organizimin e brendshëm, sistematizimin, klasifikimin dhe përshkrimin e pozitave të punës në UP.
“Obligohet sekretari i përgjithshëm i UP-së dhe zyra për buxhet dhe financa në UP që t’i realizojë pagat sipas koeficientëve në këtë vendim.” – thuhet në vendimin e Këshillit Drejtues.