Greva e minatorëve në Trepçë. Foto: KALLXO.com.

Greva e minatorëve po vazhdon në Stan Tërg

Minatorët në minierën e “Trepçës” në Stan Tërg sot kanë hyrë në ditën e nëntë të grevës.

Gjendja shëndetësore e grevistëve, sipas Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës” është e rëndë, ndërsa kërkesat e tyre ende nuk janë adresuar nga Qeveria e Kosovës dhe menaxhmenti.

“Gjendja shëndetësore e minatorëve është jashtëzakonisht e rëndë. Greva ende po vazhdon nuk ka plotësim të kërkesave, vetëm premtime me fjalë nga Komisioni për Ekonomi dhe Grupi Parlamentar i VV-së”- ka thënë për KALLXO.com, Destan Kërleshi, përfaqësues i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”.

Në anën tjetër, menaxhmenti i ndërmarrjes sot njoftoi përmes Facebook-ut se grevën e kanë ndërprerë minatorët në minierën e Artanës.

“Minatorët e Artanës dhe punëtorët e flotacionit në Njësinë Biznesore Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë e ndërpresin grevën dhe i rikthehen punës. Vendim i duhur dhe shumë i drejtë nga minatorët dhe punëtor e Kishnicës dhe Artanës”- thuhet në njoftim.

KALLXO.com merr vesh se mbrëmë deri në orët e vona, disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë mbajtë takim me Sindikatën e Punëtorëve të “Trepçës” për të gjetur një zgjidhje e greva të ndërpritet, por në fund takimi kishte përfunduar pa ndonjë rezultat.

Menaxhmenti i “Trepçës” ndëshkon minatorët grevistë, ua ndal pagesat e mëditjeve dhe shujtave