Grafite të shumta në rrugë e mure në veri të Mitrovicës në lidhje me targat

“Nuk dorëzohemi. KM do të qëndrojë”, është një grafit i cili është vendosur në vende të ndryshme, në mure të objekteve në pjesën veriore të Mitrovicës si dhe përgjatë rrugës në të cilën gjendet Shkolla Teknike, në Lagjen e Boshnjakëve.

Grafitet mund të shihen në afërsi të statujës së Car Llazarit, në rrugën kryesore që të çon nga Mitrovica drejt Zveçanit, në mure e objekte të kafeneve dhe marketeve.

Ky grafit po pretendohet se u shënua si shenjë revolte për të kundërshtuar nisjen e regjistrimit të automjeteve me targa RKS në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës, i cili u mor ditë më parë.

Ky vendim parasheh që të gjitha automjetet me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “DA” të fillojnë regjistrimin me RKS që nga 1 gushti.

Procesi i regjistrimit do të jetë për dy muaj, pra nga 1 gushti deri më 31 shtator.

Grafitet e vendosura në lokacione të ndryshme në veri të vendit nuk janë shenjat e para ta pakënaqësisë për vendimin e Qeverisë në lidhje me targat.

Ditë më parë KALLXO.com raportoi se si iniciativa “Mbijetesa serbe”, e cila funksionon në veri, ka ngritur alarmin se vendimet e fundit të Qeverisë së Kosovës mund të nxisin trazira dhe se serbët janë të shqetësuar se do të regjistrojnë veturat me RKS.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar pas marrjes së vendimit për regjistrimin e automjeteve me targat zyrtare të Kosovës.

Kujtojmë se vitin e kaluar për 14 ditë qytetarët serbë të Kosovës kishin bllokuar dy rrugët kryesore të cilat të çojnë drejt pikave kufitare Jarinjë e Bërnjak për shkak të vendimit për reciprocitetin për targat.

Pas protestave të shumta që ndodhën në atë kohë, ishte marrë një vendim i ri që të mbulohen simbolet shtetërore të veturave të dy shteteve, pra Kosovës dhe Serbisë, gjatë kohës sa qëndrojnë në territoret e njëra-tjetrës.