Gracka në të cilën u vra Afrim Bunjaku - si u ndriçua zona ku shpërtheu mina?

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, thotë se nuk kanë pasur informacione apo telefonata nga qytetarët para se të shpërthente mina në Basnjskë më 24 shtator, ku i vrarë mbeti rreshteri Afrim Bunjaku.

Hoxha thotë se informacionet e para janë pranuar nga patrulla e njësisë kufitare që ka shkuar për të bërë ndërrimine patrullës në rrugën për Izvor.

“Mesa unë kamë informacione ne s’kemi pasë ndonjë informacion nga qytetarët rreth këtij aksioni apo lëvizje të grupit kriminal. Informacionet e para ne i kemi pranu nga patrulla e njësisë kufitare e cila ka shku për të kryer ndërrimin e patrullës tjetër që ka qenë në rrugën për Izvor, ata kanë vrejtë që rreth orës 02:00 është vendosë një kamion në udhëkryqin e fshatit Banjskë, pastaj ka raportu në radiolidhje, pastaj rreshteri Afrim Bunjaku ka harmonizu patrullën e Zveçanit duke iu thënë kolegëve të tij se kjo që raportoi Policia kufitare është zonë e jona e përgjegjësisë dhe ne duhet të dalim me shiku dhe me e vërtetu se çka po ndodhë atje”- tregon Hoxha.

“Kur kanë shku në vendin e ngjarjes janë taku me patrullën policore. Gjërat kanë rrjedhë shumë shpejtë, në momentin që ata e kanë vërejtë diçka të dyshimtë edhe  kanë tentu me ju afru do të thotë kamionëve atëherë ka ndodhë eksplodimi që ishte një minë e tipit mrud, anti-këmbësorike që është detonu”- shpjegon ai.

Hoxha thotë se së pari ka ndodhur shpërthimi i minës në të cilën fillimisht është lënduar Bunjaku dhe më pas kanë filluar sulmet direkte nga grupi kriminal.

“Policët kur kanë shku te barrikada e vendosur atje e kanë pa që ka drita por qëllimi i tyre ka qenë të afrohen tek kamioni për të pa, mandej kur e kanë pa që janë sulmu atëherë disa nga ta kanë vendosë që ne jemi të ekspozumë ndaj dritave sepse në fshat nuk ka drita dhe i kanë fikë që të sigurojnë veten. Policët pak më vonë e kanë kuptu që është një grup kriminal i armatosur”- thotë drejtori i PK-së.

“Së pari ka ndodhë shpërthimi i minës, në të cilën është lëndu rreshteri ynë dhe po ashtu një polic tjetër dhe pas shpërthimit të minës, atëherë kanë fillu sulmet direkte të grupit kriminal me të gjitha llojet e armëve, zolla, mitralozë”- rrëfen Hoxha në KallxoPernime.