Vendi në të cilin ka ndodhur aksidenti me fatalitet në Fushë Kosovë, Foto: KALLXO.com

Goditet nga kamioni, vdes një këmbësore në Fushë Kosovë

Një këmbësore ka vdekur si pasojë e plagëve të marra në një aksident trafiku që ka ndodhur sot në Fushë Kosovë.

Viktima dyshohet se është goditur nga një kamion në lëvizje.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Sot rreth orës 10:00 kemi pranuar informatën se në rrugën “Hajrullah Zymi” në Fushë Kosovë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident, kanë qenë të përfshirë një këmbësore dhe një automjet në lëvizje (kamion). Si pasojë e aksidentit, lëndime të rënda trupore ka pësuar këmbësorja e cila nuk ka arritë të përballojë plagët dhe e njëjta ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”- ka thënë Ahmeti.

Sipas saj, ngasësi i automjetit është shoqëruar në stacion policor.

“Aktualisht policia ka nisë një hetim për zbardhjen e rrethanave që kanë çuar deri te ky aksident trafiku, ndërkohë që ngasësi automjetit është shoqëruar në stacion policor”- ka thënë ajo.

Në adresë të KALLXO.com një qytetar ka dërguar pamje nga vendi i ngjarjes.

Vendi në të cilin ka ndodhur aksidenti me fatalitet në Fushë Kosovë, Foto: KALLXO.com