Foto: KALLXO.com

Gjykimi për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Zhur, refuzohet propozimi i prokurorit për ekspertizë të tretë

Gjykata e Prizrenit të martën ka refuzuar propozimin e prokurorit që të bëhet ekspertiza e tretë lidhur me rastin e ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës në Zhur

Ish-zyrtarët komunalë të Prizrenit, Almir Saiti, Muhamet Bajrami, Hatixhe Përzhella dhe zyrtarja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Drenusha Behluli-Mehmeti, po përballen me akuzën për keqpërdorim të detyrës në lidhje me Shtëpinë e Kulturës në Zhur.

Aktakuza thotë se të lartcekurit ndërmjet viteve 2009 dhe2017, gjatë mbikëqyrjes së punimeve në projektin “Ndërtimi i shtëpisë së kulturës në fshatin Zhur” kanë lejuar ekzekutimin e pagesave për kompaninë përkundër faktit se punimet nuk janë kryer dhe objekti akoma nuk ishte bërë dhe nuk ishte lëshuar për shfrytëzim.

Prokuroria pretendon se dëmi që i është shkaktuar Komunës së Prizrenit kap vlerën 962,387.95 euro.

Në seancën e sotme, prokurori Genc Nixha për shkak të kontradiktave të dy ekspertizave të kryera më parë ka propozuar që të bëhet ekspertiza e tretë.

“Propozoj që të bëhet ekspertiza e tretë pasiqë njëra ekspertizë thotë se nuk kemi stabilitet të objektit, kurse eksperti tjetër thotë se objekti është stabil, që do të thotë kemi dy mendime të kundërta mes ekspertizës së parë dhe të dytë” – tha Nixha.

Prokurori Nixha tutje ka shtuar se eksperti i ndërtimtarisë, Bujar Emra, në raportin e tij po ashtu ka shfrytëzuar pothuajse në tërësi ekspertizën e mëparshme të bërë nga Mustafa Gjurgjealo.

Propozimi për ekspertizë u kundërshtua nga mbrojtësit e të akuzuarit dhe vetë të akuzuarit.

Pas kësaj, trupi gjykues mori vendim që të refuzohet kërkesa e prokurorit.

Gjykimi më tej ka vijuar me dëgjimin e ekspertit financiar, Hamdi Kastrati.

Kastrati i dorëzoi Gjykatës dhe palëve shkresën në të cilën ka precizuar urdhër-pagesat për fazat e ndërtimit të objektit të Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur.

Eksperti Kastrati duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit Hajrip Krasniqi ka pohuar se i akuzuari Almir Saiti ka nënshkruar propozimin në shumën prej 29 mijë e 500 euro.

Eksperti ka mohuar se Saiti ka lëshuar propozime të tjera.

Hamdi Kastrati ka cekur se operatorit ekonomik NTP “Elshani” i janë paguar tri fatura në shumën 22 mijë euro, 20 mijë euro dhe 5 mijë euro.

Për këto, eksperti Hamdi Kastrati ka deklaruar se nga aspekti financiar shuma ishte paguar në vlerë tjetër për punimet e pakryera.

“Të tri faturat janë të rregullta, por nga aspekti financiar në ekspertizë është konstatuar se shuma e tërësishme e papaguar është 64 mijë euro, dhe kjo shumë është paguar për punimet e pakryera” – tha ai.

Seanca e radhës do të mbahet më 29 nëntor 2022.

Prokuroria në Prizren më 16 prill 2019 ka ngritur aktakuzë ndaj ish-drejtorit të projektit të ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës në Zhur, Almir Saiti, ish-zyrtarëve komunalë të Komunës së Prizrenit Refki Muzbegu, Muhamet Bajrami, Hatixhe Përzhella dhe Drenusha Behluli- Mehmeti zyrtare në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ndaj Refki Muzbegut, më 1 korrik 2021, kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani mori vendim që të hidhet aktakuza dhe të pushohet procedura për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale.

Sipas aktakuzës të datës 16 prill 2019, zyrtari komunal Almir Saiti nga muaji maj 2010 deri me 22 tetor 2015, si drejtor i projektit të ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës në Zhur të Prizrenit, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose tjetrin,  edhe pse nga ana  operatorit ekonomik ”Alkom – Konstrucion”  punimet nuk janë kryer sipas pozicioneve të caktuara, pa mbajtjen e librit ndërtimor, pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka  lejuar ekzekutimin e pagesave  duke nënshkruar në 6 raste në shumën e përgjithshme prej 324,623.82 euro.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, në fazën e dytë ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik ”Elshani”, dhe të njëjtit edhe pse nuk iu kanë përmbajtur kontratës,  ka lejuar ekzekutimin e pagesave në 15 raste për këtë operator në shumën e përgjithshme prej 573,154.90 euro, sikurse në ekspertizën financiare të dhënë nga eksperti Hamdi Kastrati.

Për këtë nga Prokuroria po akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar.

Refki Muzbegun, për të cilin Gjykata ka pushuar procedurën penale, Prokuroria e ka akuzuar se në cilësinë e personit zyrtar, nga data 22 tetor 2009 deri me 30 qershor 2011,  i shkakton dëm  buxhetit të Komunës së Prizrenit, ashtu që i caktuar nga Drejtoria e Urbanizmit në bashkëpunim me Drejtorinë për  Kulturë, Rini dhe Sport si organ mbikëqyrës i punimeve rreth ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës në Zhur të Prizrenit, në fazën e parë ku ka qenë e kontraktuar “Alkom-Konstrucion” nga Prizreni, edhe pse punimet nuk janë kryer  sipas pozicioneve të caktuara, pa mbajtjen e librit ndërtimor, pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka  lejuar ekzekutimin e pagesave  duke nënshkruar procesverbalet e pagesave për 6 raste në shumën e përgjithshme prej 324,623.82 euro. Pranimi teknik për objektin  nuk është bërë deri me datën e dorëzimit të ekspertizës 1 mars 2019.

Për këtë nga Prokuroria u akuzua se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar.

Muhamet Bajrami, nga Prokuroria po akuzohet se në periudhën 24 dhjetor 2010 deri me 22 dhjetor 2015, në cilësinë e personit zyrtar  të caktuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në Bashkëpunim me Drejtorinë Kulturë, Rini dhe Sport të Prizrenit,  si organ mbikëqyrës  rreth punimeve në ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Zhur të Prizrenit në fazën e 2  ku ka qenë e kontraktuar operatori “Elshani”, edhe pse punimet nuk janë kryer  sipas pozicioneve të caktuara, pa mbajtjen e librit ndërtimor, pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka  lejuar ekzekutimin e pagesave  duke nënshkruar procesverbalet e pagesave për 6 raste në shumën e përgjithshme prej 573,154.90 euro dhe pranimi teknik për këtë objekt nuk është bërë deri me datën e dorëzimit të ekspertizës të datës 1 mars 2019.

Për këtë nga Prokuroria po akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar.

Hatixhe Përzhella  nga dhjetori i 2013 deri më 27 maj 2014,  e caktuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në Bashkëpunim me Drejtorinë Kulturë, Rini dhe Sport të Prizrenit, si organ mbikëqyrës  rreth punimeve në Shtëpinë e Kulturës në Zhur të Prizrenit, në fazën  e tretë ku ka qenë e kontraktuar  operatori ekonomik “KOSOVO ERH-KOTORI” nga Prizreni,  ku punimet nuk janë kryer sipas pozicioneve të caktuara, pa mbajtjen e librit ndërtimor, pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka  lejuar ekzekutimin e pagesave  duke nënshkruar procesverbalet e pagesave për shumën  përgjithshme prej 67,6333.00 euro të përshkruara sipas ekpertizës së ekspertit Hamdi Kastrati  dhe fakti se pranimi teknik për këtë objekt nuk është bërë deri me datën e dorëzimit të ekspertizës 1 mars 2019.

Për këtë nga Prokuroria po akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar

Drenusha Behluli-Mehmeti nga Prokuroria po akuzohet se nga data 3 nëntor 2017 deri më 12 dhjetor 2017, në Prishtinë, si zyrtar i organit mbikëqyrës në Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport në Prishtinë me qëllim të përftimit të dobisë pasurore për vete ose tjetrin i shkakton dëm buxhetit të Komunës, në fazën e fundit  ku ka qenë e kontraktuar operatori OE ”NNT TONI” si zbatuese e këtyre punimeve të cilat nuk i ka përfunduar ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke i nënshkruar procesverbalet  për lejimin e pagesave në 2 raste për operatorin e lartcekur në shumën e përgjithshme prej 65,603.23 euro të përshkruara nga eksperti Hamdi Kastrati. Edhe pse është vërtetuar se pozicionet nuk janë punuar si duhet dhe si janë paraparë në kontratë dhe për faktin se pranimi teknik për objektin  nuk është bërë deri me datën e dorëzimit të ekspertizës 1 mars 2019.

Për këtë nga Prokuroria po akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.