Foto: Ilustrim

Parashkruhet vepra, hidhet poshtë aktakuza për njërin prej zyrtarëve komunalë të Prizrenit

Në Gjykatën e Prizrenit është mbajtur seanca ndaj 5 të dyshuarve për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Zhur.

Sipas Prokurorisë, të akuzuar në këtë çështje penale janë Almir Saiti, ish-drejtor i projektit të ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës në Zhur, si dhe ish-zyrtarët komunalë të Komunës së Prizrenit, Refki Muzbegu, Muhamet Bajrami, Hatixhe Përzhella dhe Drenusha-Behluli Mehmeti, zyrtare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Saiti, Muzbegu, Bajrami, Përzhella dhe Behluli-Mehmeti në periudha të ndryshme kohore dyshohet se kanë keqpërdor detyrën zyrtare dhe me veprimet e tyre i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.

Ndërkaq në fillim të shqyrtimit, përfaqësuesi i të pandehurit Refki Muzbegu, Durim Nevzati,  kërkoi  nga Gjykata që të veçohet procedura penale ndaj të mbrojturit të tij, pasi që sipas institutit të parashkrimit me kalimin  dyfish të periudhës së veprës  procedura nuk mund të vazhdohet.

“I mbrojturi im në periudhën kohore të datës 22 tetor 2009 e deri me 30 qershor 2011, konsideroj se vepra për të cilën ngarkohet është e dënueshme deri në 5 vjet, ndërkaq dispozitat e KP-së parashohin parashkrimin e veprave penale të dënueshme mbi 3 vjet në afatin prej 5 viteve, kurse në paragrafin tjetër theksohet se me kalimin dyfish të kësaj periudhe procedura nuk mund të vazhdohet”, deklaroi Nevzati.

Lidhur me këtë, kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani mori vendim që ndaj të pandehurit Muzbegu të hidhet aktakuza dhe të pushohet procedura për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale.

Pas kësaj, shqyrtimi vazhdoi me leximin e aktakuzës. 4 të pandehurit e lartcekur deklaruan se nuk ndihen fajtorë për veprën me të cilën Prokuroria po i ngarkon.

Shqyrtimi vazhdoi me procedurën e provave.

Me këtë rast u ftua eksperti i ndërtimtarisë, Mustafa Gjurgjealo, të elaborojë ekspertizën të cilën e ka përpiluar.

Sipas ekspertit Gjurgjealo, objekti i kulturës në fshatin Zhur  nuk ishte përpiluar sipas projektit zbatues dhe objekti në fjalë nuk ishte në përputhje me arkitekturën e projektit zbatues të firmës “DIARKO”.

Eksperti i ndërtimtarisë për trupin gjykues gjithashtu deklaroi se në ndërtimtari pa përfunduar faza e parë nuk mund të kyçet në fazën e dytë, kurse në rastin konkret prej fazës së parë nuk janë përfunduar punimet.

Në lidhje me ekspertizën e paraqitur nga ana e ekspertit, përfaqësuesit e të akuzuarve deklaruan se nuk i kanë  këto shkresa. Gjithashtu,  mbrojtësi  i të akuzuarit Almir Saiti, Hajrip Krasniqi,  kërkoi nga Gjykata që të dilet në vendin e ngjarjes dhe të bëhet shikimi i objektit.

Lidhur me kërkesën e mbrojtësve, kryetari  i trupit gjykues aprovoi  kërkesën e tyre dhe vendosi që më 22 shtator 2021 të dilet në vendin e ngjarjes. Po ashtu, obligoi përfaqësuesin e Prokurorisë që të gjitha shkresat e lëndës dhe ekspertizën që të cilën e elaboroi eksperti Gjurgjealo, në afatin prej 1 muaji t’i dorëzohen Gjykatës, përfaqësuesit të Komunës si dhe mbrojtësve.

Seanca  e radhës caktohet për datën 29 shtator 2021.

Sipas aktakuzës të datës 16 prill 2019, zyrtari komunal Almir Saiti nga muaji maj 2010 deri me 22 tetor 2015, si drejtor i projektit të ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës në Zhur të Prizrenit, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose tjetrin,  edhe pse nga ana  operatorit ekonomik ”Alkom – Konstrucion”  punimet nuk janë kryer sipas pozicioneve të caktuara, pa mbajtjen e librit ndërtimor, pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka  lejuar ekzekutimin e pagesave  duke nënshkruar në 6 raste në shumën e përgjithshme prej 324,623.82 euro.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, në fazën e dytë ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik ”Elshani”, dhe të njëjtit edhe pse nuk iu kanë përmbajtur kontratës,  ka lejuar ekzekutimin e pagesave në 15 raste për këtë operator në shumën e përgjithshme prej 573,154.90 euro, sikurse në ekspertizën financiare të dhënë nga eksperti Hamdi Kastrati.

Për këtë nga Prokuroria po akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar.

Refki Muzbegun, për të cilin Gjykata ka pushuar procedurën penale, Prokuroria e kishte akuzuar se në cilësinë e personit zyrtar, nga data 22 tetor 2009 deri me 30 qershor 2011,  i shkakton dëm  buxhetit të Komunës së Prizrenit, ashtu që i caktuar nga Drejtoria e Urbanizmit në bashkëpunim me Drejtorinë për  Kulturë, Rini dhe Sport si organ mbikëqyrës i punimeve rreth ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës në Zhur të Prizrenit, në fazën e parë ku ka qenë e kontraktuar “Alkom-Konstrucion” nga Prizreni, edhe pse punimet nuk janë kryer  sipas pozicioneve të caktuara, pa mbajtjen e librit ndërtimor, pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka  lejuar ekzekutimin e pagesave  duke nënshkruar procesverbalet e pagesave për 6 raste në shumën e përgjithshme prej 324,623.82 euro. Pranimi teknik për objektin  nuk është bërë deri me datën e dorëzimit të ekspertizës 1 mars 2019.

Për këtë nga Prokuroria u akuzua se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar.

Muhamet Bajrami, nga Prokuroria po akuzohet se në periudhën 24 dhjetor 2010 deri me 22 dhjetor 2015, në cilësinë e personit zyrtar  të caktuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në Bashkëpunim me Drejtorinë Kulturë, Rini dhe Sport të Prizrenit,  si organ mbikëqyrës  rreth punimeve në ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Zhur të Prizrenit në fazën e 2  ku ka qenë e kontraktuar operatori “Elshani”, edhe pse punimet nuk janë kryer  sipas pozicioneve të caktuara, pa mbajtjen e librit ndërtimor, pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka  lejuar ekzekutimin e pagesave  duke nënshkruar procesverbalet e pagesave për 6 raste në shumën e përgjithshme prej 573,154.90 euro dhe pranimi teknik për këtë objekt nuk është bërë deri me datën e dorëzimit të ekspertizës të datës 1 mars 2019.

Për këtë nga Prokuroria po akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar.

Hatixhe Përzhella  nga dhjetori i 2013 deri më 27 maj 2014,  e caktuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në Bashkëpunim me Drejtorinë Kulturë, Rini dhe Sport të Prizrenit, si organ mbikëqyrës  rreth punimeve në Shtëpinë e Kulturës në Zhur të Prizrenit, në fazën  e tretë ku ka qenë e kontraktuar  operatori ekonomik “KOSOVO ERH-KOTORI” nga Prizreni,  ku punimet nuk janë kryer sipas pozicioneve të caktuara, pa mbajtjen e librit ndërtimor, pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka  lejuar ekzekutimin e pagesave  duke nënshkruar procesverbalet e pagesave për shumën  përgjithshme prej 67,6333.00 euro të përshkruara sipas ekpertizës së ekspertit Hamdi Kastrati  dhe fakti se pranimi teknik për këtë objekt nuk është bërë deri me datën e dorëzimit të ekspertizës 1 mars 2019.

Për këtë nga Prokuroria po akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar.

Drenusha Behluli-Mehmeti nga Prokuroria po akuzohet se nga data 3 nëntor 2017 deri më 12 dhjetor 2017, në Prishtinë, si zyrtar i organit mbikëqyrës në Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport në Prishtinë me qëllim të përftimit të dobisë pasurore për vete ose tjetrin i shkakton dëm buxhetit të Komunës, në fazën e fundit  ku ka qenë e kontraktuar operatori OE ”NNT TONI” si zbatuese e këtyre punimeve të cilat nuk i ka përfunduar ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke i nënshkruar procesverbalet  për lejimin e pagesave në 2 raste për operatorin e lartcekur në shumën e përgjithshme prej 65,603.23 euro të përshkruara nga eksperti Hamdi Kastrati. Edhe pse është vërtetuar se pozicionet nuk janë punuar si duhet dhe si janë paraparë në kontratë dhe për faktin se pranimi teknik për objektin  nuk është bërë deri me datën e dorëzimit të ekspertizës 1 mars 2019.

Për këtë nga Prokuroria po akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar.