Shtyhet gjykimi ndaj ish-zyrtarëve komunalë lidhur me ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Zhur
Pasi që nuk ishte përkthyer shtojca e ekspertizës financiare në rastin ku ish-zyrtarët komunalë të Prizrenit, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, seanca gjyqësore e ditës së enjte në Gjykatën e Prizrenit është ndërprerë.
Ish-zyrtarët komunalë Almir Saiti, Muhamet Bajrami, Hatixhe Përzhellë dhe zyrtarja nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport Drenusha Behluli-Mehmeti, po ngarkohen lidhur me ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Zhur.
Aktakuza thotë se të lartcekurit nga viti 2009-2017, gjatë mbikëqyrjes së punimeve në projektin “Ndërtimi i shtëpisë së kulturës në fshatin Zhur”, kanë lejuar ekzekutimin e pagesave për kompaninë përkundër faktit se punimet në pozicionet e caktuara nuk janë kryer si dhe pranimi teknik i këtij objekti akoma nuk është bërë dhe nuk është lëshuar për shfrytëzim.
Prokuroria pretendon se dëmi që i është shkaktuar Komunës së Prizrenit kap vlerën e 962,387.95 euro.
Hajrip Krasniqi, mbrojtës i të akuzuarit Almir Saiti deklaroi se nga Prokuroria sot kishte pranuar shtojcën e ekspertizës financiare vetëm në gjuhën shqipe.
“Pasi që kam pranuar ekspertizën vetëm në gjuhën shqipe dhe jo në gjuhën boshnjake dhe duke pasur parasysh mungesën e ekspertizës së përkthyer, mendimi i trupit gjykues është që të mos vazhdohet me shqyrtimin gjyqësor derisa i akuzuari ta pranojë ekspertizën në gjuhën amëtare”, tha avokati Krasniqi.
Pas kësaj trupi gjykues me kryetar Xheladin Osmanin dhe anëtarët Ajser Skenderi dhe Artan Sejrani morën vendim që seanca e sotme të ndërprehet.
Gjatë këtij gjykimi i pranishëm në sallë ishte edhe eksperti Mustafa Gjurgjialo, i cili në seancën e radhës do ta elaborojë ekspertizën financiare lidhur me ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur të Prizrenit.
Lidhur me këtë çështje penale, Prokuroria në Prizren më 16 prill 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj ish-drejtorit të projektit të ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës në Zhur, Almir Saiti, ish-zyrtarëve komunalë të Komunës së Prizrenit Refki Muzbegu, Muhamet Bajrami, Hatixhe Përzhella dhe Drenusha Behluli- Mehmeti zyrtare në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Ndaj Refki Muzbegu, më 1 korrik 2021, kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani mori vendim që të hudhet aktakuza dhe të pushohet procedura për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale.
“Duke analizuar aktakuzën e Prokurorisë së Prizrenit, përkatësisht dispozitivin nën 2, ku bëhet fjalë për të akuzuarin Muzbegu ku është e përshkruar “se në periudhën kohore nga data 22 tetor 2009, e deri me datë 30 qershor 2011”, ndërsa aktvendimin për fillimin e hetimeve është marrë me datë 18 prill 2017, pra aktakuza e prokurorisë nga dita e fillimit të hetimeve është ngritur pas periudhës kohore prej 5 viteve, ku sipas nenit 1 pika 1.4 të Kodit Penal parashihet se ndjekja penale nuk mund të ndërmerret nëse kanë kaluar pesë 5 vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se tre 3 vjet burgim”, kishte deklaruar gjykatësi Osmani.
Sipas Prokurorisë të akuzuarit e lartcekur, po ngarkohen se nga viti 2009-2017 në cilësinë e menaxherëve të projektit gjatë mbikëqyrjes së punimeve në projektin “Ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur” kanë lejuar ekzekutimin e pagesave për operatorë të ndryshëm ekonomik përkundër asaj se punimet nuk ishin kryer si dhe pranimi teknik i këtij objekti akoma nuk ishte bërë dhe nuk ishte lëshuar për shfrytëzim.
Aktakuzë ndaj 5 personave për projektin ‘Ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur’