Mungon gjykatësja, shtyhet dalja në vendngjarje lidhur me Shtëpinë e Kulturës në Zhur
Në Gjykatën e Prizrenit, ka dështuar të mbahet seanca ndaj 4 të akuzuarve lidhur me ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur.
Gjykata kishte paraparë të shkonte në vendin e ngjarjes në Shtëpinë e Kulturës në Zhur, mirëpo në mungesë të anëtares së trupit gjykues u shtye për një datë tjetër.
Kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani, ka bërë të ditur se anëtarja e trupit gjykues Ajser Skenderi është e angazhuar në mbledhjen e Komisionit për Vlerësimin e Performancës së gjyqtarëve në kuadër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, andaj edhe nuk ka mundur të paraqitet sot në vendin e ngjarjes.
Punimet për ndërtimin e kësaj ndërtese patën nisur që nga viti 2009 dhe për këtë projekt ishin shpenzuar afër 1 milion euro të fondeve publike.
Përkundër këtij fakti, shtëpia e Kulturës në Zhur të Prizrenit ka mbetur e pashfrytëzuar.
Lidhur me këtë çështje penale, Prokuroria në Prizren më 16 prill 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Almir Saitit, ish drejtor i projektit të ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës në Zhur, Refki Muzbegu, Muhamet Bajrami, Hatixhe Përzhella, ish zyrtarë komunal të Komunës së Prizrenit dhe Drenusha Behluli- Mehmeti zyrtare në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Aktakuzë ndaj 5 personave për projektin ‘Ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur’
Ndaj Refki Muzbegu, në seancën e kaluar kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani, mori vendim që të hudhet aktakuza dhe të pushohet procedura për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale.
“Duke analizuar aktakuzën e Prokurorisë së Prizrenit, përkatësisht dispozitivin nën 2, ku bëhet fjalë për të akuzuarin Muzbegu ku është e përshkruar “se në periudhën kohore nga data 22 tetor 2009, e deri me datë 30 qershor 2011”, ndërsa aktvendimin për fillimin e hetimeve është marrë me datë 18 prill 2017, pra aktakuza e prokurorisë nga dita e fillimit të hetimeve është ngritur pas periudhës kohore prej 5 viteve, ku sipas nenit 1 pika 1.4 të Kodit Penal parashihet se ndjekja penale nuk mund të ndërmerret nëse kanë kaluar pesë 5 vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se tre 3 vjet burgim”, kishte deklaruar gjykatësi Osmani.
Parashkruhet vepra, hidhet poshtë aktakuza për njërin prej zyrtarëve komunalë të Prizrenit
Sipas Prokurorisë të akuzuarit e lartcekur, po ngarkohen se nga viti 2009-2017 në cilësinë e menaxherëve të projektit gjatë mbikëqyrjes së punimeve në projektin “Ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur” kanë lejuar ekzekutimin e pagesave për operatorë të ndryshëm ekonomik përkundër asaj se punimet nuk ishin kryer si dhe pranimi teknik i këtij objekti akoma nuk ishte bërë dhe nuk ishte lëshuar për shfrytëzim.
Dëmi lidhur me ekzekutimin e pagesave nga ana e të akuzuarve është në vlerë totale prej 962,387.95 euro.
Shkrimet në lidhje me gjykimin e Shtëpisë së Kulturës në Zhur mund t’i lexoni në këtë – LINK