Eksperti financiar jep vlerën e dëmit lidhur me objektin e Shtëpisë së Kulturës në Zhur
Në Gjykatën e Prizrenit ka vazhduar seanca ndaj të akuzuarve për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Zhur.
Almir Saiti, Muhamet Bajrami, Hatixhe Përzhella dhe Drenusha Behluli- Mehmeti, po përballen me akuzën për keqpërdorim të detyrës në lidhje me këtë objekt.
Prokuroria thotë se të lartcekurit ndërmjet viteve 2009 dhe 2017, gjatë mbikëqyrjes së punimeve në projektin “Ndërtimi i shtëpisë së kulturës në fshatin Zhur” kanë lejuar ekzekutimin e pagesave për kompani përkundër faktit se punimet nuk janë kryer dhe objekti akoma nuk ishte bërë dhe nuk ishte lëshuar për shfrytëzim.
Eksperti financiar, Hamdi Kastrati të martën është deklaruar për dëmin e shkaktuar në katër fazat e ndërtimit të këtij objekti.
Sipas Kastratit të dëmtuarve në këtë rast u është shkaktuar dëm në shumën 182,847.86 euro.
“Dëmi i tërësishëm për katër fazat e ndërtimit të objektit të Shtëpisë së Kulturës në Zhur kap shumën e tërësishme totale 182,847.86 euro”- ka thënë eksperti Kastrati.
Hamdi Kastrati ka sqaruar se ky vlerësim ka ardhur pas analizës që i është bërë ekspertizës të kryer nga Mustafa Gjurgjealo.
Në vijim të gjykimit, Kastrati u shpreh se gjatë përpilimit të ekspertizës financiare, përveç ekspertizës ndërtimore ai ka pasur ne dispozicion shkresat e lëndës dhe kontratat.
Ai ka pohuar se ekspertiza financiare është kryer me aktvendimin e prokurorit si dhe është bazuar në të gjeturat e ekspertit të ndërtimtarisë.
Kastrati më tej ka refuzuar të vlerësojë ekspertizën e ndërtimtarisë në të cilin eksperti ka konstatuar se nuk ka shkelje.
“Lidhur me ekspertizën e ndërtimtarisë të kryer nga Bujar Emra nuk kam kompetencë profesionale për të vlerësuar atë”- shtoi Hamdi Kastrati.
Gjykata në fund të seancës ka bërë leximin e ekspertizave të dy ekspertëve Hamdi Kastrati dhe Bujar Emra.
Ndërkaq, në plotësimin e procedurës së provave, Hajrip Krasniqi gjykatës ia dorëzoi aktin e emërimit nga Komuna e Prizrenit për të akuzuarin Almir Saiti, i cili ka ushtruar detyrën e drejtorit nga viti 2013.
Seancat e radhës do të mbahet më 12, 13 dhe 19 dhjetor 2022.
Prokuroria në Prizren më 16 prill 2019 ka ngritur aktakuzë ndaj ish-drejtorit të projektit të ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës në Zhur, Almir Saiti, ish-zyrtarëve komunalë të Komunës së Prizrenit Refki Muzbegu, Muhamet Bajrami, Hatixhe Përzhella dhe Drenusha Behluli- Mehmeti zyrtare në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Ndaj Refki Muzbegut, më 1 korrik 2021, kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani mori vendim që të hidhet aktakuza dhe të pushohet procedura për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale.
Sipas aktakuzës të datës 16 prill 2019, zyrtari komunal Almir Saiti nga muaji maj 2010 deri me 22 tetor 2015, si drejtor i projektit të ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës në Zhur të Prizrenit, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose tjetrin, edhe pse nga ana operatorit ekonomik ”Alkom – Konstrucion” punimet nuk janë kryer sipas pozicioneve të caktuara, pa mbajtjen e librit ndërtimor, pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar në 6 raste në shumën e përgjithshme prej 324,623.82 euro.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, në fazën e dytë ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik ”Elshani”, dhe të njëjtit edhe pse nuk iu kanë përmbajtur kontratës, ka lejuar ekzekutimin e pagesave në 15 raste për këtë operator në shumën e përgjithshme prej 573,154.90 euro, sikurse në ekspertizën financiare të dhënë nga eksperti Hamdi Kastrati.
Për këtë nga Prokuroria po akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar.
Refki Muzbegun, për të cilin Gjykata ka pushuar procedurën penale, Prokuroria e ka akuzuar se në cilësinë e personit zyrtar, nga data 22 tetor 2009 deri me 30 qershor 2011, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit, ashtu që i caktuar nga Drejtoria e Urbanizmit në bashkëpunim me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport si organ mbikëqyrës i punimeve rreth ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës në Zhur të Prizrenit, në fazën e parë ku ka qenë e kontraktuar “Alkom-Konstrucion” nga Prizreni, edhe pse punimet nuk janë kryer sipas pozicioneve të caktuara, pa mbajtjen e librit ndërtimor, pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet e pagesave për 6 raste në shumën e përgjithshme prej 324,623.82 euro. Pranimi teknik për objektin nuk është bërë deri me datën e dorëzimit të ekspertizës 1 mars 2019.
Për këtë nga Prokuroria u akuzua se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar.
Muhamet Bajrami, nga Prokuroria po akuzohet se në periudhën 24 dhjetor 2010 deri me 22 dhjetor 2015, në cilësinë e personit zyrtar të caktuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në Bashkëpunim me Drejtorinë Kulturë, Rini dhe Sport të Prizrenit, si organ mbikëqyrës rreth punimeve në ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Zhur të Prizrenit në fazën e dytë ku ka qenë e kontraktuar operatori “Elshani”, edhe pse punimet nuk janë kryer sipas pozicioneve të caktuara, pa mbajtjen e librit ndërtimor, pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet e pagesave për 6 raste në shumën e përgjithshme prej 573,154.90 euro dhe pranimi teknik për këtë objekt nuk është bërë deri me datën e dorëzimit të ekspertizës të datës 1 mars 2019.
Për këtë nga Prokuroria po akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar.
Hatixhe Përzhella nga dhjetori i 2013 deri më 27 maj 2014, e caktuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në Bashkëpunim me Drejtorinë Kulturë, Rini dhe Sport të Prizrenit, si organ mbikëqyrës rreth punimeve në Shtëpinë e Kulturës në Zhur të Prizrenit, në fazën e tretë ku ka qenë e kontraktuar operatori ekonomik “KOSOVO ERH-KOTORI” nga Prizreni, ku punimet nuk janë kryer sipas pozicioneve të caktuara, pa mbajtjen e librit ndërtimor, pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet e pagesave për shumën përgjithshme prej 67,6333.00 euro të përshkruara sipas ekpertizës së ekspertit Hamdi Kastrati dhe fakti se pranimi teknik për këtë objekt nuk është bërë deri me datën e dorëzimit të ekspertizës 1 mars 2019.
Për këtë nga Prokuroria po akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar
Drenusha Behluli-Mehmeti nga Prokuroria po akuzohet se nga data 3 nëntor 2017 deri më 12 dhjetor 2017, në Prishtinë, si zyrtar i organit mbikëqyrës në Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport në Prishtinë me qëllim të përftimit të dobisë pasurore për vete ose tjetrin i shkakton dëm buxhetit të Komunës, në fazën e fundit ku ka qenë e kontraktuar operatori OE ”NNT TONI” si zbatuese e këtyre punimeve të cilat nuk i ka përfunduar ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke i nënshkruar procesverbalet për lejimin e pagesave në 2 raste për operatorin e lartcekur në shumën e përgjithshme prej 65,603.23 euro të përshkruara nga eksperti Hamdi Kastrati. Edhe pse është vërtetuar se pozicionet nuk janë punuar si duhet dhe si janë paraparë në kontratë dhe për faktin se pranimi teknik për objektin nuk është bërë deri me datën e dorëzimit të ekspertizës 1 mars 2019.
Për këtë nga Prokuroria po akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.