Foto: KALLXO.com

Gjykimi për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Zhur, Gjykata e hedh si të papranueshme ekspertizën

Ish-zyrtarët komunalë të Prizrenit, Almir Saiti, Muhamet Bajrami, Hatixhe Përzhella dhe zyrtarja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Drenusha Behluli-Mehmeti, po përballen me gjyqin për keqpërdorim të detyrës në lidhje me Shtëpinë e Kulturës në Zhur.

Aktakuza thotë se të lartcekurit nga viti 2009-2017, gjatë mbikëqyrjes së punimeve në projektin “Ndërtimi i shtëpisë së kulturës në fshatin Zhur” kanë lejuar ekzekutimin e pagesave për kompaninë përkundër faktit se punimet nuk janë kryer dhe objekti akoma nuk ishte bërë dhe nuk ishte lëshuar për shfrytëzim.

Prokuroria pretendon se dëmi që i është shkaktuar Komunës së Prizrenit kap vlerën 962,387.95 euro

Në seancën e ditës së enjte, Gjykata mori vendim që t’i shpallë si prova të papranueshme ekspertizat e dorëzuara nga Prokuroria.

Deri te ky vendim erdhi pasi që nga mbrojtësit Harip Krasniqi dhe Rexhep Kabashi u vunë në pah parregullsi rreth ekspertizës.

Sipas Hajrip Krasniqit, mbrojtës i të akuzuarit Almir Saiti, eksperti Mustafa Gjurgjealo me vetinciativë dhe pa urdhër të Gjykatës kishte bërë ekstraktin e ekspertizës ndërtimore dhe regjistrin rreth projektit.

Krasniqi më tej vuri në pikëpyetje ekspertizën e bërë, pasi sipas tij kjo ishte kryer nga ana e një eksperti të palicencuar me ç’rast kërkoi përjashtimin e tij nga kjo çështje dhe shtoi që provat të shpallen të papranueshme.

Përveç kësaj, sipas avokatit Rexhep Kabashi, ky ekspert po ashtu kishte përfshirë edhe mendime të cilat nuk janë në kompetencë të tij.

“Ai i ka përfshirë personat përgjegjës të Kuvendit të Komunës dhe të akuzuarit se kanë kryer veprat penale – mashtrimi në detyrë dhe keqpërdorimi i detyrës zyrtare. Në këtë rast prokuroria dhe trupi gjykues është dashur t’ia tërheqin vërejtjen pasi eksperti nuk ka të drejtë të japë mendim fajësie apo pafajësie për të pandehurit”, tha avokati Kabashi.

Pas kësaj, Gjykata mori vendim që ekspertizat e dorëzuara nga prokurori si shtojca të cilat janë proceduar pa urdhër të gjykatës të shpallën prova të papranueshme.

Lidhur me ekspertin Mustafa Gjurgjealo, i cili ishte i palicencuar, mirëpo kishte provimin profesional në fushën e ndërtimtarisë, u mor vendim që të mos përjashtohet nga çështja.

Seanca e mbajtur gjatë ditës së enjte në Gjykatën e Prizrenit po kryesohet nga kryetari Xheladin Osmani me anëtarët Ajser Skenderi dhe Artan Sejrani.

Lidhur me këtë çështje penale, Prokuroria në Prizren më 16 prill 2019 ka ngritur aktakuzë ndaj ish-drejtorit të projektit të ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës në Zhur, Almir Saiti, ish-zyrtarëve komunalë të Komunës së Prizrenit Refki Muzbegu, Muhamet Bajrami, Hatixhe Përzhella dhe Drenusha Behluli- Mehmeti zyrtare në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ndaj Refki Muzbegut, më 1 korrik 2021, kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani mori vendim që të hidhet aktakuza dhe të pushohet procedura për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale.

Parashkruhet vepra, hidhet poshtë aktakuza për njërin prej zyrtarëve komunalë të Prizrenit

“Duke analizuar aktakuzën e Prokurorisë së Prizrenit, përkatësisht dispozitivin nën 2, ku bëhet fjalë për të akuzuarin Muzbegu ku është e përshkruar “se në periudhën kohore nga data 22 tetor 2009, e deri me datë 30 qershor 2011”, ndërsa aktvendimin për fillimin e hetimeve është marrë me datë 18 prill 2017, pra aktakuza e prokurorisë nga dita e fillimit të hetimeve është ngritur pas periudhës kohore prej 5 viteve, ku sipas nenit 1 pika 1.4 të Kodit Penal parashihet se ndjekja penale nuk mund të ndërmerret nëse kanë kaluar pesë 5 vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se tre 3 vjet burgim”, kishte deklaruar gjykatësi Osmani.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit e lartcekur, po ngarkohen se nga viti 2009-2017 në cilësinë e menaxherëve të projektit gjatë mbikëqyrjes së punimeve në projektin “Ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur” kanë lejuar ekzekutimin e pagesave për operatorë të ndryshëm ekonomik përkundër asaj se punimet nuk ishin kryer si dhe pranimi teknik i këtij objekti akoma nuk ishte bërë dhe nuk ishte lëshuar për shfrytëzim.

Prokuroria pretendon se dëmi që i është shkaktuar Komunës së Prizrenit kap vlerën 962,387.95 euro.