Pjetër Shala, Foto: Gjykata Speciale

Gjykimi ndaj Pjetër Shalës - Paraqiten provat, pjesa e dytë e seancës e mbyllur për publikun

Në Hagë po vazhdon procesi gjyqësor kundër Pjetër Shalës, ish-pjesëtarit të UÇK-së, i cili po akuzohet për krime lufte.

Seanca e së hënës ka vazhduar me paraqitjen e provave.

Gjatë seancës, gjykatësja Mappie Veldt-Foglia, ka njoftuar se më datë 24 korrik, Simon Laws, mbrojtës i viktimave  ka kërkuar që dy ekspertët që kanë përgatitur një raport të dëshmojnë në të njëjtën kohë.

Në sallën e gjyqit, dy ekspertë të fushës mjeko-ligjore, Karin Dune-Prinsen dhe Lozano Parra, kanë paraqitur dëshminë e tyre. Avokati Simon Laws ka drejtuar pyetje, të cilat kanë qenë të përqendruara kryesisht në seancat e mbyllura të dëshmitarëve.

Ndërkohë, Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka patur pyetje për dëshmitarët. Avokatët e mbrojtjes kanë kërkuar një pushim të shkurtër për të përgatitur pyetjet e tyre për ekspertët.

Gjykimi pas pauzës është duke vazhduar të mbahet në seancë të mbyllur për publikun.

Krimet për të cilat Pjetër Shala akuzohet pretendohet se u kryen midis 17 majit dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që ishin të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës, Shqipëri, e cila ishte në përdorim nga UÇK-ja.

Aktakuza pretendon se personat që ishin ndaluar në këtë zonë, i nënshtroheshin çdo ditë rrahjeve me mjete të ndryshme si shufra metali, armë, shkopinj dhe thika.

Viktimat ishin civilë që nuk merrnin pjesë në konfliktin e armatosur në Kosovë në atë kohë.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 dhe aktualisht mbahet në paraburgim. Më 19 prill 2021, ai paraqitet për herë të parë para gjykatësit të procedurës paraprake dhe deklarohet i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Më 15 dhjetor 2021, gjykatësi i procedurës paraprake miratoi kërkesën e një individi për t’u pranuar si viktimë pjesëmarrëse në procesin gjyqësor. Më 11 gusht 2022, në vendimin e tij të dytë në lidhje me pjesëmarrjen e viktimave, Gjykatësi i Procedurës Paraprake pranoi një person tjetër si viktimë pjesëmarrëse në procesin gjyqësor në këtë çështje. Gjashtë viktima të tjera u pranuan më 19 shtator 2022.

Më 9 shkurt, Trupi Gjykues vendosi që procedurat për dëmshpërblim dhe ato penale do të zhvillohen njëkohësisht në këtë çështje dhe se, në rast të shpalljes fajtor, Trupi Gjykues nuk do t’i referojë viktimat për padi civile në gjykatat e Kosovës, në përputhje me nenin 22(9) të Ligjit dhe rregullës 167 të Rregullores, por do të nxjerrë një Urdhër për Dëmshpërblim, në përputhje me nenet 22(8) dhe 44(6) të Ligjit. Në vendimin e vet, të bërë publik më 6 mars 2023, Trupi Gjykues e zgjati afatin për dorëzimin e kërkesave të viktimave për pjesëmarrje në procedura deri në mbylljen e paraqitjes së provave nga ZPS-ja.

Më 28 janar 2022, ZPS-ja e dorëzoi si rreptësisht konfidenciale dhe ex parte dosjen e vet paraprake. Versioni konfidencial i redaktuar i dosjes paraprake të Prokurorisë u dorëzua më 31 janar ndërsa versioni me më pak redaktime (ende konfidencial) u dorëzua më 8 shkurt 2022. Më 14 prill 2023, Zyra e Prokurorit të Specializuar dorëzoi versionin e redaktuar publik të dosjes paraprake të saj. Më 21 prill 2023, u dorëzua versioni i redaktuar publik i dosjes paraprake të Mbrojtjes.

Më 14 prill 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, në urdhrin e tij gojor, caktoi 31 gushtin si datë paraprake  për kalimin e dosjes trupit gjykues. Më 20 korrik 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake caktoi 21 shtatorin 2022 si datë të re paraprake. Më 15 shtator 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake njoftoi Kryetaren se dosja e çështjes do të jetë gati për t’u kaluar më 21 shtator 2022.

Artikujt e tjerë lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.