Foto: KALLXO.com

Gjykimi i luftëtarit të UÇK-së për krime lufte, dëshmitari rrëfen për ngjarjen si ishte marrë Haxhi Përteshi

Një dëshmitar, i cili po dëshmon në gjykimin e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Remzi Shala, i njohur në kohën e luftës me nofkën “Molla e Kuqe”, rrëfeu para trupit gjykues në Prizren për takimin e pretenduar të mbajtur në odën e Rifat Qatanit, ku të nesërmen, sipas këtij dëshmitari ishte marrë i ndjeri Haxhi Përteshi.

Sipas aktakuzës, Remzi Shala akuzohet se në qershor të viti 1998 bashkë me disa persona të tjerë – pjesëtarë të UÇK-së kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

“Unë kam ardhur për ta thënë të vërtetën dhe nuk kam dyshim se është e vërtetë se Xhema, Ferat Shala dhe “Molla e Kuqe”,  kanë ardhur në mbledhjen e organizuar  dhe kanë marrë udhëzime te Bajram Qatani dhe Sherif Qatani se kënd me rrah e kënd me mbytë. “Mollën e Kuqe” nuk e fajësoj shumë sepse nuk e ka njohur Haxhi Përteshin por në anën tjetër e fajësoj sepse i ka dëgjuar ata”, tha dëshmitari Mustafa Përteshi.

Dëshmitari tha se pas mbledhjes së mbajtur më 25 qershor 1998, ai kishte dëgjuar se ishte marrë Haxhi Përteshi.

“Sipas fjalëve të Agronit (djalit të viktimës), atë natë apo një natë më vonë e kanë marrë Haxhiun. Ai më ka thënë se e kanë marrë UÇK-ja, bile këtu Remzi Shala -“Molla e Kuqe” i cili ka qenë pa maskë, mirëpo, personat e tjerë kanë pasur maska”, shtoi dëshmitari.

Dëshmitari tutje deklaroi  se pas vdekjes së Haxhi Përteshi ai ishte frikësuar për ta gjetur trupin e tij dhe për ta varrosur.

“Kam biseduar me Ferat Përteshin të cilit i kam thënë se jam duke shkuar te Bashkim Elshani që të shkojmë me traktorin e tij me marrë Haxhi Përteshin në fshatin Duhël, i cili ishte vrarë. Por, Ferat Përteshi më ka thënë se komandant “Guri” ka thënë: “Kush e varros Haxhi Përteshin i njëjti ka me pësu si ai’”, tha dëshmitari.

Mirëpo, edhe pas këtyre deklarimeve , dëshmitari së bashku me Bashkimin dhe disa bashkëfshatarë të tjerë kishin shkuar që ta marrin trupin e të ndjerit Haxhi Përteshi.

Dëshmia e dëshmitarit Mustafa Përteshi përfundoi me vërejtje të dhëna nga i akuzuari dhe mbrojtësi i tij, Blerim Mazreku, pasi që sipas tyre dëshmitari asnjëherë më parë gjatë deklaratave nuk e kishte përmendur Ferat Përteshin e as “Mollën e Kuqe”.

Në vijim të gjykimit u dëgjua edhe dëshmitari i dytë, Sadik Selimi.

Selimi deklaroi se Remzi Shalën e kishte njohur vetëm si ushtar përforcues dhe atë e kishte takuar pas ditës së parë të luftimit.

“Remzi Shala nuk na është prezantuar si udhëheqës, por edhe prej askujt nuk kam dëgjuar që është udhëheqës, unë e kam njohur si ushtar përforcues”, deklaroi Selimi.

Me përfundimin e orarit të punës, seanca e sotme u ndërpre ajo e radhës u caktua për datat 11 dhe 14 mars 2022.

Prokuroria Speciale po e akuzon Remzi Shalën se ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile.

Sipas aktakuzës të datës 19 tetor 2016, të ngritur nga prokurori vendor Haki Gecaj, Remzi Shala akuzohet se në qershor të 1998-ës bashkë me disa persona tjerë – pjesëtarë të UÇK-së kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

Sipas Prokurorisë,  ish-komandanti “Molla e Kuqe” i armatosur me armë të gjatë dhe me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së bashku me 5-6 pjesëtarë të kësaj ushtrie të armatosur e me maska në fytyrë dhe të paidentifikuar deri tani, më 26 qershor 1998 rreth orës 23:00 për shkak të dyshimit se Haxhi Përteshi është duke bashkëpunuar me forcat serbe, kanë shkuar te shtëpia e tij duke e privuar nga liria.

“Pas mbajtjes disa ditë të mbyllur në vend të paidentifikuar me datën 1 korrik 1998 trupi i pajetë i Haxhi Përteshit është gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël”, thuhet në dispozitivin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale.

Lidhur me këtë rast, më 3 korrik 2019, Remzi Shala ishte dënuar nga Gjykata e Prizrenit me 14 vite burgim.

Kurse, nga 14 vite burgim sa ishte gjykuar nga ana gjykatës së shkallës së parë, të akuzuarit Remzi Shala nga Gjykata e Apelit i ishte zbutur dënimi në 10 vite burgim.

Pas këtij vendimi, Gjykata Supreme kishte anuluar këto dy aktgjykime dhe çështja i ishte kthyer Gjykatës së shkallës së parë për rigjykim dhe rivendosje.

Kallxo.com ka raportuar për rastin në fjalë që nga janari i vitit 2017 dhe dëshmi për rastin ishin dhënë edhe në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Emisionin e plotë për aktakuzën ndaj ish-ushtarit të UÇK-së Remzi Shala mund ta shikoni këtu.

www.kallxo.com