Remzi Shala

Gjykata Supreme kthen në rigjykim rastin e Remzi Shalës “ Molla e Kuqe”

Gjykata Supreme e ka kthyer në rigjykim çështjen e Remzi Shalës, ish eprorit të Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës (UÇK), i njohur me nofkën “Molla e Kuqe” i cili ishte dënuar për krime lufte.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar avokati i Shalës, Natal Bullakaj

“Po Gjykata Supreme e ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, dhe e ka anuluar aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë, dhe çështjen e ka kthyer në rivendosje  në Gjykatën Themelore të Prizrenit “ tha Bullakaj.

Me 14 vite burgim e kishte dënuar Gjykata e Prizrenit Remzi Shalën nën akuzat për krime lufte në lidhje me rrëmbimin e Haxhi Perteshit nga Duhla e Suharekës 21 vjet më parë, i cili pak ditë më vonë ishte gjetur i vdekur.

Në dhjetor të vitit 2019, Gjykata e Apelit  kishte aprovuar pjesërisht ankesën e avokatit mbrojtës Natal Bullakaj, por edhe sipas detyrës zyrtare, e kishte ndryshuar aktgjykimin e Gjykatë Themelore në Prizren.

Nga 14 vjet burgim sa ishte dënuar nga ana gjykatës së shkallës së parë, të akuzuarit Remzi Shala i ishte zbutur dënimi në 10 vjet burgim.

KALLXO.com kishte raportuar se Remzi Shala ishte intervistuar edhe nga Gjykata Speciale, për dy ditë me radhë.

VIDEO: Ish-komandanti i UÇK-së, Remzi Shala, është intervistuar nga Gjykata Speciale