Gjykimi i Remzi Shalës - Foto: KALLXO.com

Gjykimi i ish-pjesëtarit të UÇK-së për krime lufte, dëshmon ish-kryetari i Duhlës

Në Gjykatën e Prizrenit është mbajtur seanca e rigjykimit të Remzi Shalës, i njohur me nofkën e luftës “Molla e Kuqe”, i cili nga Prokuroria Speciale e Kosovës po akuzohet për krime lufte.

Sipas aktakuzës, në qershor të vitit 1998 Remzi Shala bashkë me disa persona të tjerë ish – pjesëtarë të UÇK-së, kanë rrëmbyer Haxhi Përteshin në shtëpinë e tij në Duhël të Suharekës.

Disa ditë më vonë, Përteshi ishte gjetur i vdekur.

Ne seancën e sotme ka dëshmuar dëshmitari Shefki Bujari.

Ai deklaroi se ka qenë për shumë vite kryetar i fshatit e aktivist.

Ai rrëfeu se në janar të vitit 1999, dhjetë  persona të cilët nuk kanë qenë të asaj zone, kishin shkuar te shtëpia e tij natën vonë dhe nga ai kishin kërkuar që t’i shoqërojë dhe t’i dërgojë te shtëpia e Xhemajli Elshanit në mënyrë që ta arrestojnë dhe ekzekutojnë.

Përfaqësuesi i Prokurorisë Speciale, Haki Gecaj, e pyeti dëshmitarin se ku ishte bazuar se këta 10 persona nuk ishin të asaj zone.

Shefki Bujari, përpara trupit gjykues tha se ka menduar se nuk ka qenë urdhër i shtabit që të vijnë ata 10 persona si dhe dyshonte nëse ishin ushtarë të UÇK-së.

“Dyshoj nëse kanë qenë ushtarë të UÇK-së, kanë qenë me uniformë dhe kanë biseduar në gjuhën shqipe, mirëpo po të kishin qenë ata me urdhër të shtabit së paku njëri prej tyre do të kishte ndonjë dokument dhe do ta pohonte se ka urdhër prej shtabit, madje mendoj se ka mundur të ndodhë se dikush prej tyre të ketë probleme personale me Xhemajliun dhe ka mundur të shfrytëzojë situatën”, deklaroi dëshmitari.

Avokati i të akuzuarit Remzi Shala, Blerim Mazreku, e pyeti dëshmitarin nëse kishte njohuri se gjatë luftës, në Duhël, ka pasur ndonjë rast ku ndonjë banor i këtij fshati ishte hakmarrë ndaj ndonjë banori tjetër qoftë për shkak të hasmërisë, inatit apo arsyes tjetër.

Dëshmitari rrëfeu se ndoshta mund të kishin ndodhur për inate personale.

“Nuk kam informatë, mirëpo të gjitha këto ndalime dhe arrestime besoj se dikush ka bërë diçka për inate personale”, tha dëshmitari.

Tutje, Bujari sqaroi se ushtarët e UÇK-së të zonës së Duhlës janë injoruar nga ushtarët e tjerë dhe janë cilësuar edhe si bashkëpunëtorë të serbëve.

“Në momentin kur ka pasur luftime, kam qenë afër një personi i cili me ka pyetur nga jam, i kam treguar se jam nga Duhla, ai tha se po frikohem prej juve. E pyeta pse? Ai më tha se “ishit krejt Duhla spiunë”. Kërkova sqarim lidhur me këtë që tha, ai mu përgjigj: Haxhi Përteshi”, tha dëshmitari.

Sipas tij, kjo ngjarje të cilën e rrëfeu kishte ndodhur pas vrasjes së Haxhi Përteshit, konkretisht pas vendosjes në Javor.

Ai shtoi se lagjja Sopa ka qenë një zonë në të cilën ka pasur arrestime, keqtrajtime dhe hakmarrje ndaj civilëve, mirëpo këtë nuk e dinte se nga kush ishte bërë.

“Ngjarjet e tmerrit që kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe ku unë në atë kohë kam shërbyer në Bllacë, unë nuk e di se nga kush është bërë, sepse unë nuk kam pasur qasje se çka ka ndodhur në atë zonë, por ka shumë njerëz që e dinë se kush janë arrestuar e kush janë maltretuar”, deklaroi Bujari.

Ndërsa, sa i përket vrasjes së Haxhi Përteshit, dëshmitari rrëfeu para gjykatës se edhe pse kishte qenë përgjegjës gjatë luftës në fshat, ai nuk kishte dijeni dhe as shënime se kush e kishte vrarë të ndjerin Përteshi dhe se nuk ka njohuri nëse ka pasur konflikte me dikë.

Kryetarja e trupit gjykues, Raime Elezi, për shkak të përfundimit të orarit të punës, ka ndërprerë seancën e sotme, ndërsa ajo e radhës u caktua për nesër, kur do të dëgjohen dëshmitarë.

Rastin për të cilin po akuzohet Remzi Shala, Prokuroria Speciale më 19 tetor 2016 kishte ngritur aktakuzë.

Në aktakuzë thuhet se Remzi Shala -“Molla e Kuqe” i armatosur me armë të gjatë dhe me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së bashku me 5-6 pjesëtarë të kësaj ushtrie të armatosur e me maska në fytyrë dhe të paidentifikuar deri tani, më 26 qershor 1998 rreth orës 23:00 për shkak të dyshimit se Haxhi Përteshi ishte duke bashkëpunuar me forcat serbe, kanë shkuar te shtëpia e tij duke e privuar nga liria.

“Pas mbajtjes disa ditë të mbyllur në vend të paidentifikuar, me datën 1 korrik 1998 trupi i pajetë i Haxhi Përteshit është gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël”, thuhet në dispozitivin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale.

Lidhur me këtë rast, më 3 korrik 2019, Remzi Shala ishte dënuar nga Gjykata e Prizrenit me 14 vite burgim.

Kurse, disa muaj më vonë, nga 14 vite burgim sa ishte gjykuar nga ana gjykatës së shkallës së parë, të akuzuarit Remzi Shala nga shkalla e dytë i ishte zbutur dënimi në 10 vite burgim.

Arsyet që e kanë shtyrë kolegjin e Apelit që të zbutë dënimin ishte fakti se i akuzuari Remzi Shala ishte akuzuar dhe shpallur fajtor për marrjen peng të viktimës Haxhi Përteshi, por jo për vrasjen e tij.

Pas këtij vendimi, Gjykata Supreme kishte anuluar këto dy aktgjykime dhe çështja i ishte kthyer Gjykatës së shkallës së parë në Prizren për rigjykim dhe rivendosje.

Në aktgjykimin e Gjykatës Supreme të siguruar nga KALLXO.com thuhet se nga Gjykata e shkallës së parë nuk ishin dhënë arsye për ekzistimin e veprës penale dhe përgjegjësisë penale nga i dënuari Remzi Shala, e posaçërisht fakti i veprimit të të dënuarit dhe se veprimi i tij a kishte të bënte me dhënien e urdhrit apo kishte zbatuar ndonjë urdhër për marrjen peng të civilëve.

Kallxo.com ka raportuar për rastin në fjalë që nga janari i vitit 2017 dhe dëshmi për rastin ishin dhënë edhe në emisionin “Drejtësia në Kosovë“.