I akuzuari për krime lufte, Remzi Shala | Foto: Drejtësia në Kosovë

Dëshmitari Rrëfen si ia Morën Babain Pjesëtarët e UÇK-së

Dëshmitari Agron Përteshi dëshmoi në Gjykatën e Prizrenit për natën kritike kur babai i tij, Haxhiu, u mor nga disa pjesëtarë të UÇK-së, në shtëpinë e tyre në fshatin Duhël dhe disa ditë më pas u gjet i vdekur afër një rruge të fshatit.

Ngjarja për të cilën po gjykohet Remzi Shala ka ndodhur më 26 qershor të vitit 1998.

Agron Përteshi tregoi se para se të ndodhte arrestimi i babait të tij ai ka qenë në qendër te fshatit bashkë me disa fshatarë të tjerë duke biseduar. Sipas tij, në ato momente kanë ardhur dy vetura prej qendrës së fshatit Duhël dhe janë ndalur në lagjen e Qatanëve.

“Pas disa minutave ka ardhur njëri nga ajo lagje dhe na ka thënë: “Ikni se UÇK-ja, pasi që ne nuk kishim të drejtë të dalim në qendrën e fshatit pas orës 21:00, përveç rojës së fshatit. Vrapova në shtëpi dhe hyra bashkë me Isuf Qatanin. Deri sa isha në oborr për të parë se nga po shkon ai grup, ata u drejtuan për në shtëpinë tonë dhe e thirrën emrin e babait. E hapa derën e oborrit, njëri më pyeti: ‘A e ke babën aty?’. I thash: po. Ai më kapi dorën dhe vazhduam te dera hyrëse e shtëpisë”, tregoi dëshmitari.

“A mund të përshkruash personin që të kapi për dore?”, ishte pyetja nga prokurori special Haki Gecaj.

“Po, personi ishte më pseudonim “Molla e Kuqe”. Atë e kam njohur edhe ditë më parë. E thirra babanë dhe ai e pyeti: “A je ti Haxhia?”. Më pas biseduan 2-3 minuta lirshëm dhe “Molla e Kuqe” i tha babait a mundesh me ardhë me neve për një bisedë më të gjatë. Babai i tha: po, vetëm t’i marr cigaret. Ai i tha nuk ka nevojë se ne i kemi të gjitha dhe shumë thjesht, pa acarime, kanë dalë nga oborri”, tha Agron Përteshi.

“Pasi dolën nga oborri, e kanë kapur dy persona, “Molla e Kuqe” dhe një person tjetër. Desha të vazhdoj pas tyre por një person më kërcënoi më pushkë dhe nuk më la”, shtoi Agroni.

http://kallxo.com/aktakuze-per-krime-lufte-ndaj-ish-ushtarit-te-uck-se/

Më pas prokurori e pyeti: “Ju prej fillimit sot po i referoheni personit “Molla e Kuqe”, a e dini kush është ky person me këtë pseudonim?”.

Arbeni tregoi se ka pasur rast ta takojë një natë kur ka qenë i angazhuar si roje fshati dhe në një tubim të fshatarëve në shtëpinë e Rifat Qatanit, ku ishte prezent edhe i ndjeri Haxhi Përteshi. “Tubimi ka qenë për t’i dalë ndihmë UÇK-së”, tha Agroni.

Pas kërkesës së prokurorit, trupi gjykues lejon që i dëmtuari ta identifikojë të akuzuarin. I dëmtuari Agron Përteshi i kthyer nga banka e të akuzuarit deklaron se këtë person e njeh nga viti 1998 dhe ky është personi me pseudonimin “Molla e Kuqe” Remzi Shala.

“A keni marrë ndonjë veprim për ta gjetur babanë e juaj, a je interesuar ku është?”, pyeti prokurori Gecaj.

Po jam interesuar, tha Arbeni. “Sipas informacioneve që kisha babai im ishte në shtabin e fshatit Luzhnicë dhe shkova ta kërkoj. Kur shkova roja më tha a mund të vini nesër se sot komandanti është i lodhur. U ktheva në shtëpi dhe të nesërmen shkova prapë. Në hyrjen e fshatit më ka ndalur roja dhe më kërkoi emrin dhe mbiemrin. Pas 5 minutave konsultim rojet në mes vete më dhanë urdhër të kthehem prapa. Përsëri u ktheva në shtëpi”, tha dëshmitari, i cili në këtë rast është në cilësinë e të dëmtuarit.

Dëshmia e Agron Përteshit pritet të përfundojë në seancën e radhës.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Natal Bullakaj, kishte vërejtje në deklaratën e deritanishme të dëshmitarit.

“Në tërësi nuk përputhet dhe ndryshon me deklaratat të cilat i ka dhënë në Pprokurori, sidomos kam vërejtje në pjesën deklaruese rreth njohjes së të akuzuarit, formën se si e përshkruan dhe rrjedhën e njohjes të këtij personi ngase nuk përputhen më deklaratat e hetuesisë dhe prokurorisë. Sot është deklaruar ndryshe”, tha avokati Bullakaj.

Seanca e radhës është caktuar për datën 27 qershor.

Në seancën e ardhshme është paraparë që dëshmitari Agron Përteshi ta përfundojë dëshminë e pastaj dëshmi do të japin Halil Përteshi dhe Bashkim Elshani.

I akuzuari Remzi Shala në Emisionin “Drejtësia në Kosovë” në fund të janarit të këtij viti mohoi se ishte i përfshirë në privimin nga liria të Haxhi Përteshit në qershorin e vitit 1998.

Emisionin e plotë për aktakuzën ndaj ish-ushtarit të UÇK-së Remzi Shala mund ta shikoni këtu.