Gjykimi i Remzi Shalës - Foto: Kallxo.com

Në gjykimin për krime lufte të ish-ushtarit të UÇK-së propozohet të dëgjohen disa dëshmitarë

Në rigjykimin e ish-luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Remzi Shalës, palët në procedurë janë pajtuar që të dëgjohen edhe disa dëshmitarë.

Prokuroria Speciale pretendon se Remzi Shala, i njohur me nofkën e luftës “Molla e Kuqe”, në qershor të vitit 1998 bashkë me disa persona të tjerë – pjesëtarë të UÇK-së, për shkak të dyshimit se Haxhi Përteshi ishte duke bashkëpunuar me forcat serbe, kanë shkuar te shtëpia e tij duke e privuar nga liria.

Sipas Prokurorisë, disa ditë më pas, Përteshi ishte gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

Gjatë ditës së martë, prokurori i çështjes, Haki Gecaj, përmendi listën e dëshmitarëve të cilët sipas tij do të duhej të ftoheshin për t’u dëgjuar në këtë rigjykim.

“Me propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit është vendosur që të dëgjohen sërish të gjithë dëshmitarët të cilët nuk janë dëgjuar në rigjykim dhe për disa të tjerë ne jemi njoftuar zyrtarisht se kanë vdekur. Lidhur me këtë unë e kam listën të cilën do ta lexoj”, tha prokurori Gecaj.

Minire Përteshi, Ganimete Përteshi, Faik Zogaj, Ferat Përteshi, Murtez Zekolli, Hajdar Qatani, Halil Përteshi, Shaban Shukulli, Nezir Përteshi u propozuan nga ana e prokurorit që të dëgjohen në seancat e radhës.

Me këtë deklarim u pajtuan edhe Asdren Hoxha, mbrojtës i palës së dëmtuar dhe Blerim Mazreku, mbrojtës i të akuzuarit Shala.

Para se të bëheshin propozimet rreth dëshmitarëve, seanca e cila po zhvillohet në Gjykatën e Prizrenit filloi me pothuajse një ore vonesë.

Fillimisht, ishte avokati Asdren Hoxha ai i cili kishte njoftuar Gjykatën se për shkak të ngarkesës në komunikacion do të vonohej për disa minuta.

Pas tij, me vonesë arritën në gjykimin edhe të dëmtuarit Agron Përteshi dhe Zenel Përteshi, të cilët deklaruan se kanë ardhur direkt nga aeroporti, pasi jetonin jashtë Kosovës.

Ndërkaq, në fund të seancës, nga kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi, u refuzua propozimi i mbrojtësit Mazreku për zëvendësimin e masës së paraburgimit me arrest shtëpiak ndaj të akuzuarit Remzi Shala.

Seancat e ardhshme lidhur me këtë rast, për shkak të agjendës së ngarkuar të prokurorit dhe mbrojtësve arritën që të caktoheshin për datat 1, 2 dhe 3 qershor 2022.

Sipas Prokurorisë, Remzi Shala, i njohur me nofkën e luftës “Molla e Kuqe”, i armatosur me armë të gjatë dhe me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së bashku me 5-6 pjesëtarë të kësaj ushtrie të armatosur e me maska në fytyrë dhe të paidentifikuar deri tani, më 26 qershor 1998 rreth orës 23:00 për shkak të dyshimit se Haxhi Përteshi është duke bashkëpunuar me forcat serbe, kanë shkuar te shtëpia e tij duke e privuar nga liria.

“Pas mbajtjes disa ditë të mbyllur në vend të paidentifikuar me datën 1 korrik 1998 trupi i pajetë i Haxhi Përteshit është gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël”, thuhet në dispozitivin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale.

Lidhur me këto akuza Shala ishte dënuar nga Gjykata e Prizrenit me 14 vite burgim, kurse Apeli i kishte zbutur dënimin në 10 vite burgim.

Pas këtij vendimi, Gjykata Supreme i ka anuluar vendimet e dy gjykatave duke e kthyer çështjen në rivendosje. https://kallxo.com/lajm/gjykata-supreme-kthen-ne-rigjykim-rastin-e-remzi-shales-molla-e-kuqe/

Kallxo.com ka raportuar për rastin në fjalë që nga janari i vitit 2017 dhe dëshmi për rastin ishin dhënë edhe në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

www.kallxo.com