Arkiv

Tensione në gjykimin e ish - komandantit “Molla e Kuqe” i akuzuar për krime lufte

Ballafaqimi i dëshmitarëve në rastin ku për krime lufte po akuzohet ish-komandanti Remzi Shala, u bë “mollë sherri” ndërmjet palëve në gjykim.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës po e ngarkon Remzi Shalën për veprën penale – privim nga liria të një civili në kohë lufte.

Sipas aktakuzës, në qershor të vitit 1998, Remzi Shala bashkë me disa persona të tjerë ish – pjesëtarë të UÇK-së, kanë rrëmbyer Haxhi Përteshin në shtëpinë e tij në Duhël të Suharekës.

Disa ditë më vonë, Haxhi Përteshi ishte gjetur i vdekur.

Mes kundërthënieve, duke u betuar e duke u shikuar sy më sy, dëshmitarët – djali i të ndjerit, Agron Përteshi dhe dëshmitari Mifail Helshani u përballën lidhur me takimin e pretenduar që kishin patur në fshatin Duhël.

Sipas dëshmitarit Agron Përteshi, në qershor të 1998, në pikën e rojës në lagjen Sopa, ai ishte takuar me dëshmitarin Mifail Helshani, Xhafer Shukollin dhe të akuzuarin Remzi Shala.

“Në qershor 1998, rreth orës 19:00, në pikën e rojës në lagjen Sopa, i akuzuari më ka pyetur për Xhafer Shukollin, dhe më pas keni shkuar në shtëpinë e tij. Pas 5-10 minutave jeni kthyer me Shukollin, jeni nisur në drejtim të Grajqevcit dhe pas 30 minutave keni gjuajtur me armë zjarri. Ndërsa për emrat e juaj na ka njoftuar vetë Xhafer Shukolli”, deklaroi Përteshi gjatë ballafaqimit me dëshmitarin Mifail Helshani.

Lidhur me këtë, Helshani deklaroi se jo vetëm me Remzi Shalën, por me asnjë njeri tjetër nuk kishte lëvizur në atë kohë ngase kishte qenë i plagosur rëndë.

“Po betohem se kjo nuk është e vërtetë, unë nuk kam lëvizur dhe as nuk kam udhëtuar me Remzi Shalën e as me Xhafer Shukollin në këtë vend. Unë kam qenë i plagosur rëndë dhe jam mjekuar nga një mjek, kjo dëshmi e kujtdo qoftë është rrenë, edhe vetë këtë Remzi Shala mund ta dëshmojë”, deklaroi dëshmitari Mifail Helshani.

Për përfaqësuesin e palës së dëmtuar Asdren Hoxha, fjalia “… për këtë mund të dëshmon edhe i akuzuari Remzi Shala” ngjalli shumë reagime.

Në këtë moment, në mënyrë të ashpër dhe të vrullshme duke u ngritur në këmbë reagoi edhe i akuzuari Remzi Shala.

“Mixha juaj, vëllau i tij e ka vrarë Haxhi Përteshin. Mua askush nuk më ka pasur borxh asgjë. Unë në luftë kam shkuar për të luftuar dhe për të mbrojtur popullatën civile, dhe jo për të marrë spiuna”, tha i akuzuari Remzi Shala.

Ky deklarim, në sallë të gjykimit ngjalli reagime të ashpra në mes të dyja palëve për çka u desh që të qetësohej situata.

Gjykatësja Raima Elezi, pas kësaj situate ndërpreu seancën dhe vendosi që ta vazhdojë pas pauzës së drekës.

Në pjesën e dytë të gjykimit, ballafaqimi i dëshmitarëve Zejnullah Qatani me Mifail Helshanin vazhdoi në mënyrë të qetë dhe pa tensione.

Qatani gjatë përballjes me Mifal Helshanin para trupit gjykues, deklaroi se ishte takuar me dëshmitarin Mifail Helshani dhe Jetulla Qarrin, në gusht të vitit 1998, në vendin e quajtur ‘Kikërr”, afër Lubovcëve, ku ky i fundit e kishte larguar prej istikameve.

Helshani e mohoi këtë deklaratë dhe theksoi përsëri se ai ka qenë i plagosur.

“Nuk është e vërtetë, nuk ka shanse të takohemi aty se unë nuk kam qenë në atë periudhë aktiv por kam qenë i shtrirë në spital”, deklaroi dëshmitari Helshani.

Për shkak të orarit të punës, seanca e sotme përfundoi kurse ajo e radhës u caktua për datën 15 tetor 2021.

Prokuroria Speciale më 19 tetor 2016 ngriti aktakuzë ndaj Remzi Shalës për krime lufte ndaj popullatës civile.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Remzi Shala akuzohet se në qershor të 1998-ës bashkë me disa persona tjerë ish – pjesëtarë të UÇK-së, kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas ishte gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

Më 26 qershor 1998, rreth orës 23:00, për shkak të dyshimit se Haxhi Përteshi ishte duke bashkëpunuar me forcat serbe, kanë shkuar te shtëpia e tij duke e privuar nga liria.

“Pas mbajtjes disa ditë të mbyllur në vend të paidentifikuar, me datën 1 korrik 1998 trupi i pajetë i Haxhi Përteshit ishte gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël”, thuhet në diapozitivin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale.

KALLXO.com ka raportuar për rastin në fjalë që nga janari i vitit 2017 dhe dëshmi për rastin ishin dhënë edhe në emisionin “Drejtësia në Kosovë“.