Gjykata vendos për të akuzuarin që kërkonte nga 3,500 euro për kontrabandim me migrantë

 

Avni Hakaj i akuzuar për kontrabandim me migrantë është shpallur fajtor sot nga Gjykata e Prishtinës.

I njëjti është dënuar me dy vite burgim, i cili nuk do të  ekzekutohet në rast se nuk kryen vepër të re penale brenda tre vitesh.

Po ashtu Hakaj do të paguaj gjobë në shumë prej 5 mijë euro. Këtë shumë gjykata ia mundësoi që ta paguajë në pesë këste.

Tutje, kryetari i trupit gjykues Kujtim Krasniqi ka urdhëruar që të akuzuarit të i konfiskohet vetura me të cilën ka kryer veprën penale.

Kjo veturë do të i dorëzohet Agjencisë për Administrimin e Pasurisë dhe e njëjta ta shesë ose ta tjetërsojë këtë veturë.

Sipas nenit 164 të Kodit Penal kushdo që merret me kontrabandim të migrantëve dënohet me gjobë dhe me burgim prej dy (2) deri dhjetë (10) vjet.

Sipas dosjes së Gjykatës, në vitin 2016 i akuzuari Hakaj me qëllim të përfitimit pasuror me veturën e tij ka kontrabanduar migrantë me shtetësi të Kosovës të cilët i ka dërguar në shtete të Bashkimit Evropian përmes Serbisë.

Për këto shërbime, i akuzuari ka kërkuar nga 3 mijë e 500 euro nga secili prej migrantëve.

G. H., B. H. dhe S. Z. ishin migrantët të cilët Hakaj tentoi të i kontrabandonte, mirëpo që të njëjtit u ndaluan në Hungari nga Policia Hungareze.

I akuzuari e ka pranuar fajin në seancën gjyqësore para trupit gjykues.