FOTO ARKIV: Ilir Tolaj

Gjykata sot vendos për Ilir Tolajn dhe të tjerët

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sot pritet që të shpallet aktgjykimi në rastin ndaj ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë Ilir Tolaj, zyrtarëve të kësaj Ministrie, si dhe zyrtares së Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të gjithë të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me projektin e asgjësimit të barërave me afat të skaduar.

Në seancën e kaluar është dhënë fjala përfundimtare.

Në fjalën përfundimtare prokurorja e rastit Florije Shamolli, i ka kërkuar trupit gjykues që të gjithë të akuzuarit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit në fuqi, pasi që sipas prokurores pas administrimit të të gjitha provave është arritur të provohet dyshimi i bazuar mirë se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale e cila u vihet në barrë.

Ndërsa, mbrojtësi i Ilir Tolaj, avokati Besnik Berisha, të mbrojturin e tij e quajti viktimë të prokurorisë.

“Tolaj është viktimë e persekutimit e ndjekjes tendencioze ai nuk ishte ai që ra ndesh me ligjin, por viktimë që prokuroria të i bazoj pretendimet e tyre”, ka thënë avokati Berisha.

Kurse vetë Tolaj procesin gjyqësor ndaj tij dhe të akuzuarve të tjerë e ka quajtur hakmarrje personale, të politikave aktuale.

Poashtu të gjithë të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre me rastin e dhënies së fjalës përfundimtare kanë kërkuar trupit gjykues që pas analizimit të të gjitha provave të marrë aktgjykim lirues ndaj tyre pasi që të njëjtit janë të pafajshëm, pasi që i kanë kryer të gjitha detyrat dhe obligimet të cilat i kanë pasur konform ligjit.

https://kallxo.com/fjala-perfundimtare-ne-gjykimin-e-ilir-tolajt-demtues-te-buxhetit-apo-viktima-te-prokurorise/

Aktakuza e Prokurorisë Speciale ndaj të akuzuarve përbëhet nga tri pika.

Pika e parë akuzon Ilir Tolajn, Bekim Fushën dhe Zenel Kuqin se gjatë periudhës 23. 5.2011 deri 31.12.2011 në Prishtinë, në bashkëveprim, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me qëllim që të përfitojë dobi materiale kompania “KMI” sh.p.k. me bashkëpronarë Arion Lleshin dhe Shpend Aganin, i tejkaluan kompetencat si dhe nuk i përmbushën detyrat zyrtare të tyre.

Këto veprime të të akuzuarve kompanisë “KMI” i kanë sjellë dobi materiale në shumë prej 400.000 euro.

Në vlerë të njëjtë ata i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës.

Për këtë Prokuroria i akuzon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Pika e dytë e aktakuzës e akuzon Zenel Kuqin se në cilësinë e menaxherit të prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë periudhës ndërmjet 23.05.2011 dhe 31.12.2011 i tejkaloi kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë materiale nga kompania “ACG dhe “Standart”, për aktivitetin e prokurimit  “Renovimi gjeneral i aneksit të emergjencës ekzistuese në QKUK”, kompania “Alb Architect” në aktivitetin e prokurimit “Renovimi gjeneral dhe adaptimi i katit përdhes në Klinikën Interne, në repartin e ri për dializë në QKUK”, dhe kompania “Life Farm” për aktivitetin e prokurimit “Furnizim me infuzione”, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerën totale 276.307.97 eurove.

Me këtë në vazhdimësi sipas Prokurorisë Kuqi ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Pika e tretë e akuzon Valentina Haxhijajn, Remzije Thaçin dhe Florije Tahirin se gjatë periudhës kohore 23.05.2011 deri 31.12.2011, Valentina Haxhijaj në cilësinë e kryetares  së Komisionit për Mbikëqyrjen e Ekzekutimit të Kontratës me Kompaninë “KMI”, sh.p.k. si dhe Remzije Thaqi e Florije Tahiri në cilësinë e anëtares, në bashkëveprim duke e shfrytëzuar autoritetin zyrtar më qëllim që të përfitojë dobi materiale kompania “KMI”, i kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare duke i sjellë kompanisë dobi materiale në shumën rreth 400.000 eurove.

Me këtë në vazhdimësi Valentina Haxhijaj, Remzije Thaçi e Florije Tahiri kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Pjesë e aktakuzës ishin edhe dy biznesmenë, Arion Lleshi e Shpend Agani.

Lleshi e Agani lidhën marrëveshje për pranim fajësie me prokurorin special, të cilën më pas e pranoi edhe Gjykata.

Pas aprovimit të pranimit të fajësisë, Gjykata i dënoi Lleshin e Aganin me nga dy vjet burg me kusht dhe me nga 1,000 euro gjobë.

Po ashtu, biznesmenët u obliguan që t’i kthejnë shtetit 400 mijë euro.

Raportet e KALLXO.com lidhur me këtë rast gjyqësor mund t’i gjeni në këtë link.

Gjykimi i ish-sekretarit dhe zyrtarëve të MSh-së është rast i shënjestruar për liberalizimin e vizave.