Gjykimi i Ilir Tolajt. Foto: Kallxo.com

Fjala përfundimtare në gjykimin e Ilir Tolajt: 'Dëmtues' të buxhetit apo ‘viktima’ të prokurorisë?

Në gjykimin e i ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë Ilir Tolaj, zyrtarëve të kësaj Ministrie, si dhe zyrtares së Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të gjithë të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me projektin e asgjësimit të barërave me afat të skaduar, është dhënë fjala përfundimtare.

Prokurorja e rastit Florije Shamolli në fjalën përfundimtare i kërkoi trupit gjykues që të gjithë të akuzuarit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit në fuqi.

Sipas prokurores pas administrimit të të gjitha provat është arritur të provohet dyshimi i bazuar mirë se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale e cila u vihet në barrë.

Prokurorja tha se në aktivitetin e asgjësimit të barërave janë shkelur procedurat e prokurimit, shkelje për të cilat tha se i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë gjysmë milioni euro.

“Nga provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se janë bërë shkelje në procedurat e prokurimit, shkelje të cilat Ministrisë së Shëndetësisë i kanë shkaktuar humbje gjysmë milion euro”, tha ajo.

Sipas saj Ministria e Shëndetësisë nuk ka poseduar asnjë raport se sa ka qenë sasia e barërave me afat të skaduar të cilat kanë qenë në depon në Mazgit, përgjegjësi e cila deklaroi se sipas saj ka qenë e të akuzuarit Ilir Tolaj.

“Kanë filluar procesin pa bërë ndonjë evidentim apo regjistrim të barërave i cili si pasojë ka pasur mashtrimin apo keqpërdorim gjatë asgjësimit të barërave me afat të skaduar. Provat kanë vërtetuar se barërat nuk janë peshuar e as regjistruar, nuk ka asnjë evidencë për sasinë e barërave as para aktivitetit të prokurimit e as pas asgjësimit të barërave”, deklaroi prokurorja.

https://kallxo.com/e-akuzuara-nuk-kam-verejtur-asnje-parregullsi-gjate-asgjesimit-te-barerave-pa-afat/

Prokuroja Shamolli tha se fare nuk është zbatuar Udhëzimi Administrativ i Ministrisë së Shëndetësisë pasi që sipas saj barërat është dashur që të klasifikohen në bazë të llojit, e një gjë e tillë tha se nuk është bërë nga ana e të akuzuarve.

Ajo deklaroi se anëtaret e komisionit të cilat kanë qenë të caktuara për të monitoruar procesin e asgjësimit të barërave nuk e kanë kryer punën e tyre në rregull pasi që sipas prokurores nuk e kanë monitoruar ngarkimin e barërave në depon në Mazgit dhe se të njëjtat i kanë lejuar kompanisë KMI që të bëjë ngarkim shkarkimin e barërave pa prezencën e tyre, në këtë mënyrë sipas prokurores të akuzuarat janë fajtore pasi që nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e keqpërdorimit të barërave.

https://kallxo.com/e-akuzuara-prokurori-me-tha-afer-drurit-te-thate-digjet-edhe-i-njomi/

Kurse mbrojtësi i Ilir Tolaj, avokati Besnik Berisha, të mbrojturin e tij e quajti viktimë të prokurorisë.

“Tolaj është viktimë e persekutimit e ndjekjes tendencioze ai nuk ishte ai që ra ndesh me ligjin por viktimë që prokuroria të i bazoj pretendimet e tyre”, tha avokati Berisha.

https://kallxo.com/ne-gjykimin-e-ilir-tolajt-e-akuzuara-tregon-si-mateshin-barerat-qe-shkaterroheshin/

Ai trupit gjykues i kërkoi që t’i analizojë të gjitha provat dhe të mbrojturin e tij ta liroj nga aktakuza në mungesë të fakteve.

“Apeli ynë është që provat që janë prezantuar këtu të shqyrtohen nga trupi gjykues. Apeli ynë është që Ilir Tolaj të lirohet nga aktakuza, prokuroria mos të shpërblehet në vazhdimësi për dëmin që po i bënë këtij vendi”, deklaroi Berisha.

Edhe vetë Ilir Tolaj në fjalën përfundimtare i kërkoi trupit gjykues që gjatë këshillimit dhe votimit në lidhje me këtë çështje të veproj me guxim profesional.

https://kallxo.com/tolaj-per-shkaterrimin-e-barerave-pa-afat-veprova-sipas-ligjit/

“Unë jam i bindur se trupi gjykues pos dijës profesionale ka edhe guxim profesional për të vendosur drejtë këtë çështje bazuar në ligj e në prova e jo në thashetheme e mashtrime pa ju nënshtruar presioneve mediatike apo atyre politike të lidhura për agjenda të caktuara të politikaneve siç është tash liberalizimi i vizave apo përpjekja e po këtyre politikaneve të korruptuar për të provuar se po ndiqet korrupsioni në Kosovë”, tha Tolaj.

Ai procesin gjyqësor ndaj tij dhe të akuzuarve të tjerë e quajti hakmarrje personale, të politikave aktuale.

“Në këta njerëz që janë para jush nuk ka kriminel të krimit të organizuar, nuk ka as të korruptuar, unë personalisht jam shumë i bindur se edhe të tjerët këtu janë viktima të mafisë farmaceutike dhe asaj politike që e keqpërdorin sistemin e drejtësisë për të disiplinuar njerëz dhe për të realizuar hakmarrje personale”, tha për fund Tolaj.

https://kallxo.com/transportuesi-i-barerave-asnjehere-nuk-e-kam-ditur-se-sa-kam-ngarkese-ne-kamion/

Mbrojtësi i Zenel Kuqit, avokati Ramë Gashi deklaroi se me asnjë fakt nuk është arritur të vërtetohet se i mbrojturi i tij e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet andaj i kërkoi trupit gjykues që të njëjtin ta liroj nga aktakuza.

“Vendimi më i drejtë i mundshëm që ju mund të merrni është lirimi nga aktakuza në mungesë të fakteve ndaj klientit tim. Është një shembull shkollorë i mungesës së fakteve, pretendimi që ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet, pasi me asnjë fakt nuk plotësohet figura e veprës penale për të cilën akuzohet klienti im”, tha avokati Gashi.

Edhe i akuzuari Bekim Fusha e kundërshtoi aktakuzën e ngritur nga ana e prokurorisë pasi që sipas tij ajo është krejtësisht e pabazuar dhe e gabuar.

Avokati Naser Sopjani i kërkoi trupit gjykues që të mbrojturën e tij ta liroj nga akuza pasi që sipas avokatit e mbrojtura e tij i ka kryer të gjitha detyrimet madje ai tha se i ka kaluar edhe kapacitetet e saja.

https://kallxo.com/ne-gjykimin-e-zyrtareve-te-ministrise-se-shendetesise-deshmoi-roja-i-depos/

“Punën Valentina Haxhijaj bashkë me anëtaret e komisionit e ka kryer në mënyrën më të mirë të mundshme,  e ka bërë mbikëqyrjen e ka bërë matjet dhe s’ka pasur asnjë vërejtje nga askush. Çka ka pasur në kapacitetin njerëzor e ka kryer, këta kanë kryer edhe përtej kapacitetit. Besoje se do të vendosni drejtë dhe të mbrojturën time do ta lironi nga aktakuza”, tha avokati Sopjani.

Ndërsa avokati Kujtim Kërveshi aktakuzën e ngritur nga prokuroria e quajti “paushalle” dhe të pabazuar në dispozita ligjore.

“A ka aktakuzë ma paushall e ma pa të dokumentueshme kur prokuroria thirret në shkelje por nuk i referohet dispozitave e as ligjit”, tha avokati pasi që sipas tij prokurorja thirrët se të akuzuarit kanë shkelur ligjin por nuk bazohet askund në asnjë dispozitë ligjore.

https://kallxo.com/mungojne-palet-deshton-seanca-e-gjykimit-per-korrupsion/

Edhe avokati Skender Musa tha se e mbrojtura e tiji ka kryer të gjitha punët konform përgjegjësive në bazë të kontratës së punës dhe se sipas tij aktakuza e ngritur ndaj këtyre personave është selektive pasi që janë akuzuar personat me të dobët të cilët sipas avokatit kanë pasur më së paku kompetencë në këtë punë.

Raportet e KALLXO.com lidhur me këtë rast gjyqësor mund t’i gjeni në këtë link.

Gjykimi i ish-sekretarit dhe zyrtarëve të MSh-së është rast i shënjestruar për liberalizimin e vizave.