Ilir Tolaj (Arkiv). Foto: Kallxo.com

Sërish dështon të mbahet seanca në rastin e Ilir Tolajt

Dështon të mbahet seanca ndaj ish-sekretarit të përhershëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj dhe zyrtarëve tjerë të kësaj Ministrie: Arbenita Pajaziti, Hajrullah Fejza, Zenel Kuqi dhe Bekim Fusha.

Arsyeja e dështimitë të kësaj seance ishte mungesa e të dëmtuarve.

Mbrojtësi i të akuzuarit Hajrullah Fejza, avokat Ramë Gashi, propozoi që për shkak të volumit të madh të provave dhe dëgjimit të një numri të madh të dëshmitarëve në shqyrtimet e kaluara, të lexohen dëshmitë e dëshmitarëve dhe ekspertëve. Duke shtuar edhe faktin së këto janë të njohura sikurse për të akuzuarit dhe mbrojtësit ashtu edhe për prokuroren.

Propozimin e mbrojtësit Ramë Gashi e përkrahën edhe të akuzuarit e tjerë së bashku me mbrojtësit e tyre.

Prokurorja e shtetit, Fikrije Fejzullahu, pranoi propozimin e mbrojtësit vetëm sa i përket dëshmitarëve dhe provave tjera materiale mirëpo nuk pranoi leximin e dëshmive të palëve të dëmtuara duke propozuar që të dëgjohen: Bekim Deshishku, Armend Ramadani dhe një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë, i cili përfaqëson interesat e shtetit.

Propozimi i prokurores Fejzullahu u pranua edhe nga trupi gjykues.

Ky rast, i cili është kthyer në rigjykim, është duke u gjykuar nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, me anëtaret e trupit gjykues, gjykatësit Lutfi Shala dhe Vesel Ismajli.

Të akuzuarve, Prokuroria u vë në barrë vepra penale që kanë të bëjnë me keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me punën e tyre gjatë periudhës sa kanë qenë pjesë e Ministrisë së Shëndetësisë.

Në këtë rast, të akuzuar pos Ilir Tolajt, Arbenita Pajazitit, Hajrullah Fejzës, Zenel Kuqit, Bekim Fushës është edhe Bujar Bukoshi, procedura e të cilit është veçuar për shkaqe shëndetësore.

Në seancen e ardhshme, të caktuar për më 7 tetor, do të ndëgjohen deshmitarët e lartëpermendur.