Prokuroria Speciale shënjestron edhe një rast të ri

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka vendosur që ta shënjestrojë edhe një rast të ri lidhur me veprën penale, tregti e ndaluar.

Prokuroria ka njoftuar se pas takimit të ekipit për përzgjedhjen dhe shënjestrimin e krimeve të rënda është marrë vendim që edhe një rast i ri të shënjezohet si rast brenda kushtit për liberalizimin e vizave.

“Ekipi i përbashkët për përzgjedhjen dhe shënjestrimin e Krimeve të Rënda, sot kanë shënjestruar edhe një rast ri, për veprën penale “Tregti e ndaluar” nga neni 299, paragrafi 1 i KPRK-së, Shpëlarja e parave, në kundërshtim me nenin 302 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me nenin 32 të Ligjit Nr.03/L-096, për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, po ashtu paraparë edhe me nenin 56 paragrafi 1 të Ligjit Nr.05/L-096, për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit”, thuhet në komunikatën për media të Prokurorisë Speciale.

Lidhur me këtë rast Prokuroria ka njoftuar se ka bërë sekuestrimin e pasurisë që konsiderohet të jetë e fituar drejtpërdrejt nga veprat penale të lartcekura.

Gjatë kësaj jave Prokuroria Speciale njoftoi se i ka shënjestruar edhe dy raste të reja.

Rasti i parë ishte për veprën penale shpëlarje e parave, ndërsa rasti i dytë i shënjestruar ka të bëjë me veprat penale ushtrim ndikimi dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.