Rama tregon se kur pritet të përfundojë pjesa e parë e punimeve e rrugës A

Sot kanë filluar punimet për ndërtimin e rrugës A në Prishtinë, e cila do të quhet rruga “Jim Xhema”.

Sipas kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, projekti i nisur për pjesën e parë do të përfundojë për 240 ditë pune.

Rama u shpreh se ky projekt madhor infrastrukturor për kryeqytetin, do e lidhë Prishtinën e re me Kalabrinë, dhe se kështu i jep fund kundërmimeve nga kanalizimi i hapur.

“Do të punohet në të dyja anët, nga ana e Kalabrisë dhe Prishtinës së Re. Kjo është faza e parë dhe trajton edhe çështjen e kanalizimit. Rruga e re po krijohet dhe është me standarde të reja. Prishtina veçse po frymon me lehtë dhe rrugët po i krijojmë. Faza e parë është 8.4 milionë euro. Pastaj do te vazhdohet edhe në faza tjera. Kjo fazë do të merr kohë 240 ditë pune dhe të bëhet përurimi i kësaj. Do të ketë garanci 17 vjet për çdo rast nëse veç ndodhë diçka” – u shpreh ai.

Projekti i Rrugës A/ Jim Xhema

Për këtë projekt është paralajmëruar të ketë 6 korsi gjithsej, prej të cilave të veçantë për autobusë, shtigje për biçikleta, qasje në rrugët anësore dhe ndërlidhje me Rrugën B.

Në përurimin e kësaj rruge ka marrë pjesë edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, por i cili nuk u deklarua para mediave.

Kompania kontraktuese për këtë projekt është “Sallahu”, e cila po ashtu u zotua se punimet do të kryhen sipas planit dinamik për 240 ditë pune.