Gjykata e lë në fuqi Aktakuzën ndaj arsimtarit të akuzuar se hodhi flamurin kuq e zi e plisin në shportën e mbeturinave

Gjykata e Prishtinës e ka lënë në fuqi Aktakuzën ndaj të akuzuarit Muhamed Hajredinaj, i akuzuar për veprën penale “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com, zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës Mirlinda Gashi.

“Mbrojtësi i të pandehurit M. H. në afat ligjor ka parashtruar kërkesën për kundërshtim të provave dhe hedhje të aktakuzës. Gjykata me Aktvendim PS.nr.25/2025 të datës 30.06.2025, ka refuzuar  kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave si të pabazuar, të parashtruar nga mbrojtësit të pandehurit M. H.”– thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Prishtinës.

“Gjykata Themelore Prishtinë – Departamenti Special në aktvendim ka udhëzuar palët që brenda afatit ligjor mund të parashtrojnë ankesë kundër këtij aktvendimi, në Gjykatën e Apelit të Kosovës”- thuhet tutje në përgjigjen e Mirlinda Gashit.

Muhamed Hajredinaj përmes avokatit të tij ka bërë kërkesë për hudhje të Aktakuzës dhe ka kundërshtuar provat që i ka prezantuar Prokuroria në Aktakuzë.

Muhamed Hajredinaj nga Prokuroria Speciale po akuzohet se në cilësinë e arsimtarit të gjuhës angleze sapo kishte hyrë në klasë dhe i përballur me pamjen dhe simbolet kombëtare shqiptare që nxënësit kishin veshur me rastin e Festës së Flamurit kombëtar shqiptar, i pandehuri për shkak të bindjeve të tij fetare kishte marrë flamurin kuq e zi e plisin dhe përkundër kundërshtimeve të nxënësve i kishte hedhur në shportën e mbeturinave.

Shqyrtimi fillestar lidhur më këtë rast është mbajtur më 12.05.2025.

Në seancën fillestare, i akuzuari Hajredinaj kishte deklaruar se nuk e pranon fajësinë për veprën penale të cilën po akuzohet nga Prokuroria Speciale.

“Nuk ndihem fajtor” – kishte thënë i akuzuari Hajredinaj.

Dosja e Prokurorisë

Sipas Dosjes së Prokurorisë më 27.11.2024, rreth orës 08:00, në objektin e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Xhemail Mustafa” në Prishtinë, i pandehuri Hajredinaj duke vepruar në cilësinë zyrtare si arsimtar i Gjuhës angleze, me qëllim të nxitjes së urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit midis grupeve kombëtare, etnike dhe fetare në Kosovë ka ndërmarrë veprime konkrete.

Në Aktakuzë thuhet se sapo ka hyrë në klasën 6/4 dhe i përballur me pamjen e simbolet kombëtare shqiptare që nxënësit kishin veshur me rastin e festës së Flamurit kombëtar shqiptar i pandehuri për shkak të bindjeve të tij fetare, të cilat i ka shprehur edhe më parë në prani të nxënësve ka marrë flamurin kuq e zi e plisin dhe përkundër kundërshtimeve të nxënësve i ka hedhur në shportën e mbeturinave.

Tutje në Aktakuzë thuhet se ka larguar nga ora mësimore një nxënëse, e cila mbante këto simbole kombëtare, me qëllim të pjesëmarrjes në Programin festiv të organizuar nga Shkolla për Ditën e Flamurit – çka me këto veprime të kryera publikisht ka nxitur urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve kombëtare, etnike dhe fetare.

Për shkak të veprimeve të lartpërmendura i pandehuri Hajredinaj nga Prokuroria Speciale po akuzohet se ka kryer veprën penale “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.