Dosja ndaj arsimtarit të akuzuar se hodhi flamurin kuq e zi e plisin në shportën e mbeturinave
Është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar ndaj Muhamed Hajredinajt sot, më 12.05.2025, në Gjykatën e Prishtinës.
Muhamed Hajredinaj nga Prokuroria Speciale po akuzohet se në cilësinë e arsimtarit të Gjuhës angleze sapo kishte hyrë në klasë dhe i përballur me pamjen dhe simbolet kombëtare shqiptare që nxënësit kishin veshur me rastin e festës së Flamurit kombëtar shqiptar, i pandehuri për shkak të bindjeve të tij fetare kishte marrë flamurin kuq e zi e plisin dhe përkundër kundërshtimeve të nxënësve i kishte hedhur në shportën e mbeturinave.
Pas leximit të Aktakuzës nga prokurori special Bekim Kodraliu seanca vazhdoi me deklarimin e të akuzuarit Muhamed Hajredinaj rreth fajësisë.
I akuzuari Hajredinaj deklaroi se nuk e pranon fajësinë për veprën penale të cilën po akuzohet nga Prokuroria Speciale.
“Nuk ndihem fajtor.” – tha i akuzuari Hajredinaj.
Tutje gjyqtari Lutfi Shala e njoftoi të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij se në afat brenda 30 ditësh kanë të drejtë për kundërshtim të provave dhe Kërkesë për hedhje të Aktakuzës.
Kjo çështje penale është duke u trajtuar në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës, me kryetar të Trupit Gjykues Lutfi Shala.
Ndërsa, Aktakuza po përfaqësohet nga prokurori Bekim Kodraliu.
Dosja e Prokurorisë
Sipas Dosjes së Prokurorisë më 27.11.2024, rreth orës 08:00, në objektin e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Xhemail Mustafa” në Prishtinë, i pandehuri Hajredinaj duke vepruar në cilësinë zyrtare si arsimtar i Gjuhës angleze, me qëllim të nxitjes së urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit midis grupeve kombëtare, etnike dhe fetare në Kosovë ka ndërmarrë veprime konkrete.
Në Aktakuzë thuhet se sapo ka hyrë në klasën 6/4 dhe i përballur me pamjen e simbolet kombëtare shqiptare që nxënësit kishin veshur me rastin e festës së Flamurit kombëtar shqiptar i pandehuri për shkak të bindjeve të tij fetare, të cilat i ka shprehur edhe më parë në prani të nxënësve ka marrë flamurin kuq e zi e plisin dhe përkundër kundërshtimeve të nxënësve i ka hedhur në shportën e mbeturinave.
Tutje në Aktakuzë thuhet se ka larguar nga ora mësimore një nxënëse, e cila mbante këto simbole kombëtare, me qëllim të pjesëmarrjes në Programin festiv të organizuar nga Shkolla për Ditën e Flamurit – çka me këto veprime të kryera publikisht ka nxitur urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve kombëtare, etnike dhe fetare.
Për shkak të veprimeve të lartpërmendura i pandehuri Hajredinaj nga Prokuroria Speciale po akuzohet se ka kryer veprën penale “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.