Foto: KALLXO.com

Gjykata e Apelit vendos për Nagip Krasniqin

Gjykata e Apelit e ka anuluar aktvendimin e Gjykatës së Prishtinës me të cilin të pandehurit, kryeshefit të suspenduar të KEK-ut, Nagip Krasniqit i ishte vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj, duke e kthyer këtë çështje në rivendosje.

Gjykata e Apelit sipas vendimit të siguruar nga KALLXO.com, e ka aprovuar ankesën e avokatit mbrojtës të të pandehurit Nagip Krasniqi, Virtyt Ibrahimaga.

Në vendim tutje theksohet se  i pandehuri Krasniqi mbetet në masën e paraburgimit deri në një vendim tjetër të gjykatës së shkallës së parë.

Kolegji i Gjykatës së Apelit në këtë rast, përbëhet nga Vaton Durguti – kryetar i kolegjit dhe Afërdita Bytyqi dhe Ferit Osmani, anëtarë të kolegjit.

Sipas këtij vendimi, Gjykata e Apelit ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë në aktvendimin e ankimuar nuk ka dhënë arsyet e nevojshme dhe të duhura sa i përket vazhdimit të masës së paraburgimit.

Këto arsye kanë të bëjnë me rrezikun e asgjësimit, fshehjen, ndryshimin apo falsifikimin e provave të veprave penale dhe pengimit të procedurës penale përmes ndikimit në dëshmitarë, në të dëmtuar apo bashkëpjesëmarrës të veprave penale.

Tutje, Gjykata e Apelit thekson se lidhur më të lartcekurat, gjykata e shkallës së parë nuk ka cekur se cilët janë ata dëshmitarë që nuk janë dëgjuar deri më tani e që paraqesin rrezikun e ndikimit e të pandehurit në të njëjtit.

Andaj, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se aktvendimi i Gjykatës së shkallës së parë detyrimisht duhej anuluar në mungesë të fakteve vendimtare.

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, me datë 19 maj 2023 kishte  vazhduar masën e paraburgimit për të pandehurin Nagip Krasniqi, në kohëzgjatje edhe për dy muaj.

Lajmin për KALLXO.com e kishte konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Kryeshefit të arrestuar dhe më pas të suspenduar të KEK-ut, Nagip Krasniqit, i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare i ishte refuzuar ankesa për ndërprerjen e masës së paraburgimit nga Gjykata e Apelit në muajin maj të këtij viti.

Gjykata e Apelit e kishte refuzuar ankesën e mbrojtjes të Nagip Krasniqit, në lidhje me vendimin e gjykatës së shkallës së parë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh.

Këtë për KALLXO.com e kishte konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës se Apelit, Nysret Arifi.

Gjykata e Prishtinës më 20 prill të këtij viti kishte caktuar një muaj paraburgim për kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit të datës 20 prill 2023, dyshohet se Nagip Krasniqi prej  vitit 2022, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut.

Sipas dosjes së prokurorisë Krasniqi më 26 janar 2023, kishte lidhur kontratë të dëmshme në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik duke shkelur nenin 7, nenin 35 par.3, nenin 35 par. 2.1(iii), dhe nenin 57 par.2 të këtij ligji, ashtu që duke vepruar me tenderin KEK-23-130-5-1-5, i emërtuar si “Riparimi kapital emergjent i kaldajës blloku A5  ”, me procedurë të negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë, ka lidhur kontratë me kompaninë Litëin  SA, me çmim prej 3.,495,392.42 euro, duke ndryshuar kushtet e veçanta të kontratës.

Arrestimi i Krasniqit është bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Në njoftim thuhej se, Njësia e Veçantë e Hetimeve ka bastisur zyrën e të pandehurit N. K. në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura.

Të gjitha raportimet e tjera lidhur më këtë rast, mund t’i gjeni duke klikuar në LINK.