Police

Foto: Denis Sllovinja / KALLXO.com

Gjykata e Apelit obligon Policinë ta pranojë në punë kandidatin për zyrtar policor

Gjykata e Apelit ka rrëzuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës në lidhje me rastin e padisë ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës nga një person që kishte aplikuar në një konkurs për zyrtar të Policisë.

Apeli ka detyruar Policinë e Kosovës që ta pranojë në punë Sh.B. sipas konkursit përzgjedhës për rekrutimin e zyrtarëve policorë.

Sipas vendimit të publikuar nga Gjykata e Apelit, Themelorja kishte vendosur që paditësi Sh.B. nuk ishte treguar i sinqertë me rastin e deklarimit lidhur me pyetjet e ngritura në konkursin për zyrtar të Policisë së Kosovës në lidhje me të kalurën, por që nuk kishte vërtetuar kohën kur dhe si kanë ndodhur ngjarjet.

“Ka aprovuar ankesën e paditësit dhe ka ndryshuar në tërësi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke e anuluar si të kundërligjshme raportin e verifikimit të së kaluarës të Drejtorisë për Hetime të Brendshme dhe vendimin e Komisionit Përzgjedhës të Policisë së Kosovës. Kjo gjykatë ka obliguar të paditurën që paditësin ta përfshijë në listën e kandidatëve të cilët janë përzgjedhur për zyrtar policor dhe të vazhdojë procedurën e punësimit brenda shtatë ditësh, nën kërcënim të përmbarimit me detyrim”- thuhet në njoftim.

Gjykata e Apelit e Kosovës, me kolegjin e kryesuar nga Rafet Haxhaj; Besnik Bislimaj dhe Liridon Maloku, anëtarë të kolegjit, ka nxjerrë këtë vendim më 11.03.2026.

Gjykata e shkallës së parë ka vlerësuar se në rastin konkret, komisioni verifikues vlerësimin për integritetin personal dhe vlerat etike të paditësit e ka bazuar në faktin se paditësi ka dhënë informacion të pasakta në pyetje e parashtruara në faqe 6 të aplikacionit gjë që e bën vlerësimin të justifikuar.

Por Apeli ka konstatuar se të dhënat e përdorura nga Policia e Kosovës për diskualifikim i referoheshin periudhës kur paditësi kishte qenë i mitur dhe se këto të dhëna janë konfidenciale.

“Gjykata e Apelit ka konstatuar se të dhënat e përdorura nga Policia e Kosovës për diskualifikim i referoheshin periudhës kur paditësi kishte qenë i mitur, dhe se këto të dhëna janë konfidenciale, sipas nenit 18 të Kodit të Drejtësisë për të Mitur — e paditura nuk kishte të drejtë ligjore t’i aksesojë fare. Së dyti, gjykata ka konstatuar se kundërvajtjet e kryera para vitit 2015 konsiderohen të përfunduara me vendim të formës së prerë dhe nuk mund të prodhojnë pasoja juridike të mëtejme ndaj qytetarëve. Së treti, e njëjta ka konstatuar shkelje të nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenit 36 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke theksuar se as Policia e Kosovës e as gjykata e shkallës së parë nuk kishin kryer vlerësim individual dhe proporcional të rrethanave konkrete të rastit”- thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Sipas aktgjykimit, kolegji i Gjykatës së Apelit ka theksuar se askush nuk mund të diskualifikohet mbi bazën e evidencave që sipas ligjit konsiderohen të fshira ose konfidenciale, si dhe vendimet administrative nuk mund të mbështeten në prova të siguruara në kundërshtim me ligjin.

“Vlen të theksohet se ky aktgjykim ka rëndësi të veçantë si precedent gjyqësor, ngase Gjykata e Apelit e Kosovës iu referua edhe praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe atë rastit Manjani kundër Shqipërisë të vitit 2026 — duke konfirmuar se rehabilitimi ligjor i personave që kanë kryer veprime në moshë të mitur duhet të respektohet plotësisht nga institucionet publike, se kufizimet profesionale duhet të jenë të individualizuara dhe proporcionale, dhe se asnjë vendim administrativ apo gjyqësor nuk mund të mbështetet në prova të siguruara në kundërshtim me ligjin”- theksohet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

(Shënim; Artikulli është edituar në titull dhe tekst, me ç’rast është hequr pjesa që i referohej kompensimit të kandidatit për zyrtar policor. Koha e editimit: 29.05.2026, ora 18:46)