Policia e Kosovës në aksion - Foto: KALLXO.com

Gjuajti me armë e hodhi granatë në oborrin e një diskoteke, policia bastisë shtëpinë e të riut gjen disa armë

Dje pak pas mesnatës, policia në Gjilan kishte pranuar një informacion se në oborrin e një diskoteke kishte të shtëna me armë zjarri.

Ngjarja është regjistruar rreth orës  00:30. Dy persona, punëtorë sigurimi në atë diskotekë, kanë raportuar se një person rreth të 20-ave ishte afruar në hyrje të diskotekës dhe kishte gjuajtur me armë zjarri në drejtim të tyre.

Madje i riu sipas ankesës nuk kishte kursyer as mjete të tjera që t’i përdorte. Në raportin e policisë thuhet se 20 vjeçari kishte hedhur edhe një granatë dore por e cila nuk kishte shpërthyer.

Nga të shtënat me armë zjarri është dëmtuar një automjet i cili ishte i parkuar  ndërsa të lënduar nuk kishte të raportuar.

Njësiti për deminim i policisë ka asgjësuar granatën e dorës pa ndonjë incident.

Pas marrjes së informacioneve, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, njësitet policore kanë bërë edhe bastisje në shtëpinë e të riut.

Brenda kanë gjetur e sekuestruar: tri armë gjuetie, një pistoletë dhe 16- copë fishekë, në pronësi të prindit të dyshuarit, ndërsa është konfiskuar edhe një pistoletë e tipit TT, e cila dyshohet të jetë përdorur në rast.

I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit, me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.