Pusetat në Prishtinë, Foto: KALLXO.com

Gjendja e dy pusetave në Prishtinë, nga komuna premtojnë intervenim – Pamje

Në rrugën “Mujë Krasniqi” në Prishtinë ndodhet një pusetë në një trotuar dhe afër saj janë grumbulluar dërrasa, gurë, pjesë betoni dhe kubëza trotuari jashtë vendit të tyre.

KALLXO.com sjell fotografitë nga vendi i ngjarjes, të realizuara më 12.08.2025.

Edhe në rrugën “Ndue Përlleshi” në Prishtinë, më 13.08.2025 një pusetë skaj rrugës është e hapur dhe përmbi saj janë të vendosur dy kapakë.

Për këto çështje, KALLXO.com ka kontaktuar Komunën e Prishtinës.

Sokol Havolli, drejtor i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës tha se nuk kanë pasur informacion, mirëpo menjëherë pas pranimit të fotografive nga KALLXO.com e kanë njoftuar operatorin për rregullim.

“Operatori është njoftuar menjëherë pas pranimit të kësaj informate. Raste të tilla ne i marrim shpesh si njoftim nga qytetarët ose nga mediat, dhe reagimi ynë është i menjëhershëm. Për çështjen në fjalë, deri ne publikim te lajmit nga ana juaj nuk kemi pasur informacion. Operatori eshte njoftuar dhe do të rregullohe” – tha Havolli.

Kurse për gjendjen e pusetës në rrugën “Mujë Krasniqi”, Havolli tha se është dëmtuar nga peshat e rënda.

“Kjo pusetë sigurisht është dëmtuar nga peshat e rënda që në mënyrë ilegale kanë kaluar mbi trotuar” – shtoi drejtori Havolli.