Gjashtë tenderë për një çështje në KEK, pesë u anuluan
Më 23 tetor të vitit 2020, Korporata Energjetike e Kosovës njoftoi për hapjen e tenderit me emërtim “Demontimi, liferimi dhe montimi me traj, shufra dërrasa, thërrmues të ujit. Materiali: dru pishe i impegruar si dhe krehra nga materiali poliester”.
Vlera e parashikuar e këtij tenderi ishte 250 mijë euro.
Pesë ankesa për këtë aktivitet janë dërguar në Organin Shqyrtues të Prokurimit gjë që solli vonesë më shumë se tre vjeçare për këtë tender.
Më 7 gusht 2023 ky institucion nxori vendim, pas ankesës së muajit maj nga kompania “Business Pro Sh.P.K”.
Pretendimet e “Business Pro Sh.P.K”
Mehreme Demaj, bashkëpronare e kompanisë ankuese, për Kallxo.com thotë se kërkesa për rivlerësim erdhi për shkak të dyshimeve se komisioni vlerësues ka kryer vlerësimin në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik.
“Në dosjen e tenderit janë kërkuar disa mostra për elemente të drurit të impegruar, termikisht të përpunuar, i quajtur impregnim i zi. Në vitin 2020 i kemi dërgu këto mostra. Kur dorëzohet mostra, duhet të fshihet emri i operatorit ekonomik dhe të vendoset një kod nga Autoriteti Kontraktues, në mënyrë që kur të vjen komisioni me vlerësu mos me e ditë mostrën e kujt po e vlerëson. Autoriteti Kontraktues nuk e ka bërë këtë veprim”- deklaroi Demaj.
Demaj shton se KEK-u nuk veproi në përputhje me ligjin dhe se nuk u ofruan dëshmi se si u kryen ato matje.
“Ne prej fillimit kemi kërku që mostrat të i dërgojnë për analizë në një institut të pavarur, me u vërtetu mënyra e impregnimit a është në përputhje me kërkesat, jo dimensionet. Ata e kanë bë matjen e mostrave. Ne kemi kërku edhe dëshmi se nga kush dhe si janë matë mostrat, nuk na kanë dhënë asnjë dëshmi. Kemi kërku komunikimin e anëtarëve të komisionit që me pas dëshmi se qysh është bërë matja, neve na është refuzu qasje sepse kanë thënë se këto janë komunikime të brendshme. Ne i kemi kërku mostrat tona dhe ato të operatorit tjetër. Mostrat kanë qenë të përziera dhe secila mostër e ka pas shenjën identifikuese, emrin e kompanisë”= shtoi Demaj për Kallxo.com.
Mendimi i ekspertit shqyrtues
Për ankesën e “Business Pro” për kthimin e lëndës në rivlerësim, eksperti i shqyrtues i propozoi OSHP-së që ankesën ta aprovoj si të bazuar dhe lënda të kthehet në rivlerësim.
“Duke e vërejtur se aktiviteti nuk ka shkuar në përputhje me dispozitat e LPP-së, propozoj që lënda të kthehet në rivlerësim gjithashtu nga ana e OE ankues të dorëzohet katalogu dhe të gjitha ato që kërkohen nga AK dhe të sqarohen të gjitha dyshimet, ndërsa nga ana e AK-së të bëhet rivlerësimi, të bëhen matjet e sakta dhe të paraqiten në arsyetim, të kërkohen sqarime shtesë nëse paraqitet nevoja dhe pas plotësimit të kushteve të dorëzohen dëshmitë përkatëse”- thuhet në raportin e ekspertit.
Vendimi i OSHP-së
Organi Shqyrtues i Prokurimit, në seancën e mbajtur më 7 gusht 2023 mori vendim që të aprovojë si të bazuar ankesën e “Business Pro Sh.P.K” dhe që KEK-u të kthej në rivlerësim aktivitetin e prokurimit.
“Obligohet AK që matjet t`i bëjë në mënyrë transparente duke argumentuar me dëshmi të njëjtat si dhe në rast nevoje të njëjtat t`i dërgojë për verifikim në ndonjë institut tjetër, kështu duke argumentuar qartë rezultatet e dhëna”- thuhet mes tjerash në vendimin e OSHP-së.
Paneli Shqyrtues tutje thotë se Autoriteti Kontraktues nuk ka argumentuar dhe arsyetuar duke dhënë sqarime të qarta në raport me arsyet e eliminimit.
“Duke qenë se OE ankues lidhur për çështjet e njëjta ka dhënë argumentimet dhe arsyetimet se arsyetimi i AK-së nuk qëndron, e po ashtu eksperti shqyrtues i kësaj ankese në të gjeturat e tij ka konstatuar se këto pretendime janë të bazuara, të gjitha këto kanë orientuar drejt vendim-marrjes se lënda duhet të kthehet në rivlerësim”- thuhet tutje në vendimin e OSHP-së.
KEK-u në një përgjigje me shkrim për Kallxo.com thotë se rivlerësimi u krye në përputhje me Ligjin për Prokurimin Publik.
“Autoriteti Kontraktues (AK) pas pranimit të vendimit të OSHP-së, aktivitetin në fjalë e ka kthyer ne rivlerësim. Rivlerësimi i këtij AP është bërë në pajtueshmëri me LPP-në”- thuhet në përgjigjen e KEK-ut.
Tërheqja nga tenderi
Demaj tregon se në maj të vitit 2023, pas dorëzimit të ankesës në OSHP patën kërkesë nga KEK-u për vazhdimin e validitetit të ofertës dhe sigurimit të tenderit por që “Business Pro” nuk i përgjigj kësaj kërkese.
“Meqenëse Autoriteti Kontraktues e arriti qëllimin e vet, na ka lodhë, na ka dërmu për interesa e qëllime të caktuara të tyre ne kemi vendos mos me vazhdu më sepse nuk ka më interes. Edhe prodhuesi prej nga e kemi pas në plan me e marr mallin neve na ka njoftu që oferta nuk është më e vlefshme, me ndryshimet që kanë ndodh në treg në këto tre vite është e pamundur me u realizu ajo kontratë me ato çmime”- shtoi Demaj.
Anulimi i procedurës së Prokurimit
Më datë 21 gusht 2023, pas vendimit të OSHP-së, KEK-u anuloi këtë procedurë të prokurimit.
“KEK sh.a. e anulon këtë aktivitet të prokurimit në mungesë të ofertave të përgjegjshme”- thuhet në arsyetimin e KEK-ut për anulimin e kësaj procedure të prokurimit.
Në përgjigjen e KEK-ut për Kallxo.com thuhet se ky aktivitet u anulua për shkak se nuk u vazhdua validiteti i ofertës dhe garancionit të tenderit nga Operatori Ekonomik.
Shkresa drejtuar KEK-ut
Pas vendimit të OSHP-së dhe anulimit të procedurës së prokurimit, “Business Pro” iu drejtuan me shkresë KEK-ut.
Në shkresë ndër të tjera thuhet se KEK-u shkeli ligjin e Prokurimit Publik dhe se specifikimet teknike të dosjes së tenderit i ndryshuan për të ia dhënë kontratën një operatori tjetër ekonomik.
“Duke u bazuar në të gjitha faktet të cilat ne i paraqitëm në pika të shkurtra shihen qartë shkeljet e ligjore të pandërprera dhe të qëllimshme të personave të cilët kanë qenë të përfshirë në këtë procedurë. Në lidhje me këto shkelje dhe parregullsi, ne me kohë kemi i kemi adresuar dhe informuar edhe Menaxhmentin e TCA, Auditorët, si dhe Sinjalizuesin, por që deri më tani nuk kanë reaguar dhe as nuk është marrë asnjë masë kundër këtyre personave”- thuhet mes tjerash në shkresën e “Business Pro”.
Nga “Business Pro” u kërkua që KEK-u të mos e lërë këtë çështje pa e trajtuar.
“Këtë lëndë edhe ju të adresoni tek organet tjera kompetente në mënyrë që të shikohet, analizohet dhe te vërtetohet/zbulohet se mos ka edhe elemente të tjera që organet kompetente do të i jepnin emërtimin dhe klasifikimin adekuat”- thuhet tutje në shkresë.
Për këtë shkresë, KEK-u nuk pati përgjigje për pretendimet e “Business Pro” megjithatë ata shpjeguan hapat e fundit që u ndërmorën nga ta rreth këtij aktiviteti të prokurimit.
“Në e-prokurim kemi ngarkuar vendimin e autoritetit kontraktues si dhe Njoftimin për eliminim të OE më datë: 21.08.2023. Pas kalimit të afatit ligjor, AK ka bërë amullimin e aktivitetit të prokurimit më datë: 31,08,2023”- u përgjigj KEK-u.
Kërkesa për kompensim
Për shkak të dëmeve materiale dhe shpirtërore që thotë se iu bënë, Mehreme Demaj tregon se iu drejtuan Gjykatës me kërkesë për kompensimin e dëmit nga KEK-u.
“Na veç e kemi dorëzu në Gjykatë për kompensim ndaj KEK-ut. 60 mijë euro është që e kërkojmë. Varet a do të mbetet kjo shumë sepse janë tri vjet në pyetje. Gjykata është organ në vete dhe i ka kompetencat e veta, qysh ka me vepru nuk e dimë por të gjitha dëshmitë i kemi dërgu”- përfundon Demaj.
Për këtë çështje KEK-u thotë se “në dosje të tenderit theksohet se, a ka të drejt të kërkoj kompensime OE për një AP që nuk ka përfunduar”.
Në dosjen e tenderit të këtij aktiviteti të prokurimit parashihen vetëm kompensimet për operatorin me të cilin nënshkruhet kontrata.
Historiku i procedurës së prokurimit ndër vite
Procedura e prokurimit “Demontimi liferimi dhe montimi me traj, shufra, dërrasa thërrmuese të ujit. Materiali dru pishe i impegruar si dhe krehra nga materiali polister” është e pesta me radhë, pas anulimit të katër procedurave paraprake.
Nga viti 2018 deri në vitin 2019 filluan dhe u anuluan tri aktivitete të prokurimit, dy të parat me arsyetimin se nuk pati operatorë të përgjegjshëm e ajo e vitit 2019 për arsyen se nuk u vazhdua validiteti i ofertave. Të tre aktivitetet e prokurimit ishin për furnizim me traj, shufra, dërrasa thërrmuese të ujit.
Në prill të vitit 2020 u hap procedura e re e prokurimit e cila përveç furnizimit shtohet edhe pjesa e punëve të demontimit, liferimit dhe montimit.
Procedura e prillit të vitit 2020 ishte anuluar po ashtu.
Në tetorin 2020 filloi procedura e re e prokurimit, anulimi u njoftua më 30 gusht 2023.
Pasi që më 28 janar 2021, KEK-u njoftoi “Business Pro” se është operatori fitues, kompania tjetër ofertuese u ankua ndaj këtij vendimi, çështja shkoi në OSHP ku edhe u mor vendimi që lënda të kthehet në rivlerësim.
Pas rivlerësimit të kësaj lënde, më 18.05.2021 KEK-u ka shpërblyer me kontratë operatorin ekonomik tjetër “RH ShPK dhe Rexha Sh.p.k”.
“Business Pro” pas këtij vendimi të Autoritetit Kontraktues iu drejtua OSHP-së më datë 07.06.2021 me ankesë ku eksperti shqyrtues rekomandoi anulimin e aktivitetit, kurse në korrik 2022 OSHP e hodhi si jashtë afati ankesën. Në korrik të vitit 2022 OSHP kishte marr vendim që të gjitha ankesat që janë pranuar gjatë kohës sa ka munguar bordi të mos shqyrtohen pasi që kanë kaluar afatet ligjore.
Pas vendimit të OSHP-së, KEK-u si Autoritet Kontraktues ktheu në rivlerësim këtë aktivitet.
Komisioni i rivlerësimit në nëntor të vitit 2022 propozoi anulimin e kësaj procedure të prokurimit në mënyrë që të përmirësohet dhe plotësohet specifikimi teknik që paraqet rrezik për njerëzit dhe mjedisin. Tenderi u anulua pas rekomandimit të komisionit të vlerësimit.
“Business Pro” kërkoi rishqyrtim të këtij vendimi por që kërkesa u refuzua nga KEK-u. Rasti shkoi në OSHP më 29.11.2022 ku nga OSHP u kërkua të bëhet analizimi i mostrave dhe të konstatohet a është standardi i kërkuar me dosje të tenderit. Më 14 shkurt 2023, u mor vendimi që ky tender të kthehet në rivlerësim përsëri.
14 prilli i vitit 2023 është data e vendimit të KEK-ut për anulimin e tenderit për shkak të mungesës së ofertave të përgjegjshme.
Pas këtij vendimi, më datë 05.05.2023 “Business Pro” iu drejtua OSHP-së me ankesë, ankesë kjo e trajtuar në fillim të këtij shkrimi.
Procedura e re
KEK-u në përgjigje për Kallxo.com tregon se ky aktivitet i prokurimit, pas anulimit përfundimtar tanimë është hapur përsëri si aktivitet i prokurimit.
“Deri në fund të visit 2023 presim që në bazë të publikimit të AP me numër të prokurimit KEK-23-9744-1-1-1 të përzgjidhet OE dhe gjate vitit 2024 të kemi realizimin e kontratës”- pati thënë KEK-u.
KALLXO.com ka dërguar pyetje në KEK për të marr vesh rreth ecurisë së këtij aktiviteti.
Ndonëse ende nuk është nënshkruar kontratë, KEK-u thotë se kjo procedurë është në rivlerësim dhe se nuk është anuluar procedura e prokurimit.
“Tenderi është hapur më datën 19.12.2023. Është rekomanduar për kontratë Operatori Ekonomik me çmimin më të lirë, njoftimi i Autoritetit Kontraktues për dhënie është bërë më datën 05.02.2024. Si palë të pakënaqura me vendimin e Autoritetit Kontraktues, dy Operatorë Ekonomik kanë bërë kërkesë për rishqyrtim/ankesë pranë Autoritetit Kontraktues dhe më pas ankesë në OSHP. Me vendimin e OSHP-së, nr. 0182/2024 të datës 10.05.2024, lënda është kthyer ne rivlerësim meqenëse ankesat janë pranuar si pjesërisht të bazuara. Konform Vendimit të OSHP-së, tenderi tani është ne fazën e rivlerësimit”- ishte përgjigja e KEK-ut.
Në OSHP më 01.03.2024 u dorëzuan dy ankesa për këtë aktivitet të prokurimit.
Për ankesat e “Business Pro” dhe “RH”, Gjykata e Tenderëve ka vendosur më 10.05.2024 që t’i konsideroj si pjesërisht të bazuara dhe lëndën ta kthej në rivlerësim.
Organi Shqyrtues i Prokurimit deri më 25.04.2024 duke punuar me tre anëtarë të bordit. Kjo për shkak se gjatë vitit 2023 një anëtar i bordit dha dorëheqje dhe një tjetër u shkarkua nga Kuvendi i Kosovës.
Më 25.04.2024, Kuvendi i Kosovës zgjodhi Batisha Ibrahimin si anëtaren e katërt të bordit të OSHP-së.
Në nëntor të vitit 2023, Agon Ramadani dha dorëheqje nga pozita e tij si anëtar i bordit.
Ramadani, dorëheqjen nga “Gjykata e Tenderëve” e ka arsyetuar me punën e tij profesionale dhe ambiciet e tij.
Kuvendi i Kosovës, më 13 korrik 2023, me 58 vota për kishte shkarkuar anëtaren e bordit të OSHP-së, Kimete Gashin.
OSHP-ja ishte pa bord për më shumë një vit, kur u funksionalizua tek më 23 qershor 2022. Në bordin e OSHP-së u patën zgjedhur Nita Bejta dhe Agon Ramadani, dy prej kandidatëve që Qeveria ia kishte propozuar Kuvendit përkundër faktit që nuk kishin aplikuar fare në konkursin për bordin e OSHP-së.
Përveç tyre, në bordin e OSHP-së u patën emëruar edhe Kimete Gashi dhe Vedat Poterqoi. Vjosa Mexhuani- Gradinaj është zgjedhur kryetare e bordit të OSHP-së. Mexhuani ishte kandidatja më e poentuar nga ekspertët britanikë në konkursin e parë, por i cili kishte dështuar.
Organi Shqyrtues i Prokurimit në vazhdimësi ka ankesa për numrin e vogël të stafit dhe për ankesat e shumta të cilat i pranon dhe që duhet t’i shqyrtoj.
Në uebfaqen e OSHP-së thuhet se gjatë vitit 2024 ka pranuar 487 ankesa deri më tani kurse gjatë vitit 2023 ky institucion pranoi 1 mijë e 89 ankesa.