Gjykimi i Ilir Beqirit, ish-asamblist i PDK-së i akuzuar për mosdeklarim të pasurisë
Gjakovë- Ish asamblisti i PDK-së pranon fajin për mosraportim të pasurisë
Ilir Beqiri, ish-asamblist i PDK-së në Gjakovë doli sot para gjykatës si i akuzuar për mos raportim ose raportim të rrejshëm të pasurisë.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Anton Hasanaj, para gjyqtarit Drilon Haraçia, i akuzuari e pranoi fajësinë.
Ai tha se në këtë rast është bërë një lëshim, e njëjta është bërë nga pakujdesia dhe neglizhenca.
“Kam menduar se te deklarimi i pasurisë duhet të paraqiten vetëm të hyrat publike dhe jo ato private, e gjithashtu nuk kam pasur ndonjë qëllim tjetër”, tha ai.
Verdikti përfundimtar në këtë rast do të ipet ditën e nesërme.
Në këtë rast kanë kaluar 16 muaj nga mbajtja e seancës së fundit, e cila ishte mbajtur me datë 2 prill 2019.
Kjo gjë kishte ndodhur si pasojë që fillimisht këtë rast e ka gjykuar gjykatësi Mentor Bajraktari, i cili nga Departamenti i Përgjithshëm ka kaluar në Departamentin e Krimeve të Rënda, pastaj kishte filluar kriza me pandeminë COVID-19 ku ishte ndërprerë mbajtja e seancave gjyqësore.
Ndërkaq, tashmë rasti ka kaluar te gjykatësi Drilon Haraçia.
Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori Ramiz Buzhala, Ilir Beqiri poakuzohet se nuk ka bërë deklarim të pasurisë apo të ardhurave, e këtë duke e ditur që si këshilltar në Asamblenë Komunale në Gjakovë, duhej ta bënte.
Duke mos respektuar ligjin ai nuk i kishte dërguar të dhënat në afatin ligjor në Agjencinë kundër Korrupsionit në Prishtinë.
Në aktakuzë thuhet se të dhënat e kërkuara për periudhën 1 janar deri më 31 dhjetor të vitit 2016, nuk i kishte shënuar saktë.
Pas më shumë se 1 viti, caktohet seanca për gjykimin ndaj ish-asamblistit të PDK-së