Gërvalla refuzon të përgjigjet për masat e mundshme disiplinore ndaj Prindon Sadriut

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, nuk ka pranuar të flasë për masat e mundshme disiplinore ndaj Prindon Sadriut, bashkëshorti i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për deklaratat e tij ndaj gazetarëve.

Ajo tha se për këtë çështje do të flas një ditë tjetër, duke u arsyetuar se konferenca e sotme është për regjistrimin si parti politike ‘Lista Guxo’.

“Unë nuk di që zoti Sadriu do të jetë pjesë e kësaj partie politike, sot ju kemi ftuar që së bashku me ju të shënojmë regjistrimin e partisë Guxo dhe të gjitha pyetjet e mia si ministre e Jashtme më shumë kënaqësi do të mund të ju përgjigjem herën tjetër”, tha shkurt Gërvalla.

Ditë më parë, Prindon Sadriu i ka quajtur mediat “ndërmarrje të përbashkëta kriminale”, pas publikimeve në media të shpenzimeve të Vjosa Osmanit për udhëtime në kohën kur ishte deputete.

Për këtë pati reagim nga AGK dhe Federata Evropiane e Gazetarëve, duke kërkuar që ai t’i ndalojë sulmet ndaj gazetarëve.

Ndërsa për këtë çështje nuk ka pranuar të deklarohet as vetë presidentja, Vjosa Osmani për disa herë, kurse në një intervistë kishte thënë se deklarata e tij ishte nxjerrë nga konteksti.

Osmani: Deklarimi i Prindonit për mediat u nxor nga konteksti