Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

VIDEO - Presidentja nuk i komenton reagimet e shumta ndaj shkrimeve të bashkëshortit të saj për gazetarët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka refuzuar të përgjigjet në pyetjen e gazetares së KALLXO.com, Arta Sopi, rreth deklarimeve të bashkëshortit të saj, Prindon Sadriu dhe gjuhën e përdorur ndaj gazetarëve, duke i quajtur “ndërmarrje të përbashkëta kriminale”, pas publikimeve në media të shpenzimeve të Vjosa Osmanit për udhëtime në kohën kur ishte deputete.

Në ngjarjen në Presidencën e Kosovës, pas ndarjes së medaljeve presidenciale për ish-aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mon Balaj dhe Arben Xheladini, presidentja u pyet nga KALLXO.com për deklarimet e bashkëshortit të saj dhe reagimet që janë marrë nga institucione të ndryshme për gjuhën e përdorur nga Prindon Sadriu, bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani.

Deklarata e bashkëshortit të presidentes ka nxitur reagime të shumta, ndërsa vetë presidentja Osmani ende nuk ka dalë me ndonjë deklaratë në lidhje me këtë çështje.

“Ju lutem, jemi në takim. Jemi në takim, ju kisha lutë, është tepër jo korrekte ndaj familjeve. Është tepër jo korrekte në raport me familjet. Komenti im është që jeni duke ofenduar familjet që janë këtu për momentin dhe keni hyrë brenda për të marr pamje, edhe pse s’na keni paralajmëruar që do të vini, ne sërish ju lejuam. Ne ju lejuam që të merrni pamje, kurse në intervistat e tjera flasim…Të lutem mos i prek [i drejtohet dikujt], nuk ka nevojë. Është ofendim në raport me familjarët që të bëni gjëra të tilla, vërtet është ofendim”, i tha ajo ekipit të KALLXO.com.

Pas pyetjes, ekipit të KALLXO.com i është kërkuar nga kabineti i presidentes që të largohet nga zyra.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka dënuar gjuhën përdorur nga Prindon Sadriu ndaj gazetarëve.

Edhe Federata Evropiane e Gazetarëve – EFJ, ka reaguar pas deklaratave nga bashkëshorti i Presidentes, Vjosa Osmani, Prindon Sadriu për gazetarët.  EFJ i ka bërë thirrje Sadriut t’i ndalojë sulmet ndaj gazetarëve.

Pas reagimeve, Sadriu ka thënë se ka pasur dhe do të ketë respekt dhe mirënjohje për punën e mediave dhe gazetarëve.

“E kuptoj peshën e statusit tim të postuar mbrëmë (i cili qëllimshëm është devijuar nga disa), por dua të qartësoj se respekti dhe mirënjohja ime për punën e mediave dhe gazetarëve profesionist ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e pa rezervë”, kishte deklaruar Sadriu.