Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Osmani: Deklarimi i Prindonit për mediat u nxor nga konteksti

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se deklarimi i bashkëshortit të saj, Prindon Sadriu, se mediat janë ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’ u nxor nga konteksti.

Osmani ne RTK tha që mjafton ta lexoni shkrimin, pasi sipas saj, është absurde të mvishen fjalë që nuk janë thënë.

“Sa i përket reagimit të Prindonit, ai e ka bërë një qartësim dje, i cili prapë ka dalë nga konteksti, për dy arsye. Ai e qartëson shumë mirë që në asnjë moment nuk i ka quajtur mediat ndërmarrje kriminale, mjafton ta lexojnë, nuk i ka quajtur mediat ndërmarrje kriminale. Me të vërtetë është absurditet të mveshni fjalë që nuk janë thënë”, ka thënë presidentja.

Sipas saj, Prindon Sadriu në shkrim flet për tre kategori të ndryshme dhe fjala ‘ndërmarrje kriminale’ nuk ka qenë për mediat.

“Ai flet për tri kategori të ndryshme: Për ndërmarrjet kriminale, që nuk janë mediat, pastaj për njerëz që merren me ‘merre këtë’ dhe një kategori të tretë të gazetarëve në thonjza”, ka thënë tutje Vjosa Osmani.

Konteksti është i rëndëishëm për gjithçka në këtë fazën që po kalojmë, kjo e dezinformimit është një prej rreziqeve më të mëdha të demokracisë,” shtoi Osmani.

Presidentja tutje potencoi se reagimi i AGK-së ka qenë edhe kundër Bekim Kupinës dhe nuk e di çfarë ka pasur të keqe aty.

Ajo shtoi se nuk ka institucion që e mbron median më shumë se ata.

Presidentja madje përmendi edhe disa raste kur ajo dhe familja e saj janë përballur me dezinformime të shumta, për të cilat nuk ka marr kërkim falje nga mediat.

“Si presidente, unë dhe familja ime vazhdimisht jemi sulmuar nëpërmjet një propagande të tmerrshme, e cila më pas u dëshmua edhe si tendencë – e zeza në të bardhë me atë shkrimin ‘ për me i qepu’ që u publikua në disa media dhe ajo e tregon tendencën”, tha ajo.