FOTO: MPJD

Gërvalla përfaqëson Kosovën në seancën e sotme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPDJ), Donika Gërvalla, po qëndron në Nju Jork, ku përpos takimeve të zhvilluara me përfaqësuesit e përhershëm të shteteve të ndryshme në Kombet e Bashkuara, do ta përfaqësojë Kosovën në seancën e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, gjatë së cilës do të shqyrtohet raporti periodik i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për Kosovën.

Sipas njoftimit të MPJD-së, gjatë kësaj gjatë kësaj seance, ministrja Gërvalla do t’i paraqesë të arriturat dhe sfidat.

“Zhvillimet politike pas marrëveshjes së Ohrit, zhvillimet e suksesshme në arenën ndërkombëtare, sukseset në fushën e ekonomisë, sundimit të ligjit si dhe t’i njoftojë pjesëmarrësit në seancë për perspektivën e përgjithshme të vendit në vitet pasuese”, thuhet në njoftim.

Seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të mbahet të enjten, më 27 prill, duke nisur nga ora 16:00 sipas orës lokale në Kosovë.