Foto: Fondacioni Utalaya
Garat e vrapimit në Malet e Sharrit përfundojnë me sukses edicionin e dytë
Malet e Sharrit u “pushtuan” nga 150 vrapues nga 21 vende të botës, të cilët morën pjesë në garat e vrapimit malor “High Scardus Ultra”, që u mbajtën më dy shtator.
Këto gara janë në tri kategori, 22 km, 52 km dhe 72 km. Kjo e fundit është gara e vetme në Ballkan që fillon në Bregun e Diellit, Tetovë dhe përfundon në Prizren.
Fondacioni Utalaya në bashkëpunim me organizatën TREX nga Maqedonia e Veriut e organizojnë këtë garë për të dytin vit radhazi.
Sipas themelueses së Utalayas, Flutura Uta Ibrahimi, kjo garë promovon natyrën, shëndetin, dhe fqinjësinë e mirë në mes dy shteteve, përmes dashurisë për natyrën.
“Ishte garë mjaft sfiduese, por kur e kalon vijën e përfundimit, nuk ka qejf më të madh. E sfidon veten, e tejkalon veten, dhe mëson shumë për veten. Vrapimi në natyrë nuk krahasohet me vrapimet tjera, të jesh në male, në maje, nëpër lugina, është eksperiencë e paharrueshme. T’i hap sytë!” – është shprehur një vrapuese nga kategoria 52km e cila sa e kishte përfunduar garën e vet.
Ibrahimi tha se garat u përfunduan me sukses falë punës së ekipit dhe profesionalizmit të partnerëve, pavarësisht se në gara të vrapimit malor, e sidomos në distanca më të gjata se maratona, ajo thotë se mund të ndodhë gjithçka.
Sipas fondacionit, numri i pjesëmarrësve që e përfunduan garën me sukses ishte i kënaqshëm.