Ilustrim

Një diplomat britanik në Kosovë lëndohet rëndë gjatë ngjitjes në Malet e Sharrit

Një person është lënduar pasi dyshohet se ka rrëshqitur nga një lartësi afër 500 metra derisa ka qenë duke u ngjitur në Malet e Sharrit, në Brezovicë.

KALLXO.com mëson se i njëjti është shtetas i huaj, pjesë e korit diplomatik të Ambasadës Britanike në Kosovë.

Shërbimi i Kërkim Shpëtimit Malor, të cilët kanë intervenuar për shpëtimin e tij, kanë thënë për KALLXO.com se i njëjti ka qenë në gjendje stabile.

“Një bjeshkatar ka qenë duke ecë tek Guri i Kuq në Brezovicë, dhe ka rrëshqitur dhe ne si Kërkim Shpëtim e kemi pranuar një thirrje prej një personi që ka qenë me të. Personi është në gjendje stabile, ka pasë lëndime shumë, se ka rrëshqit prej lartësisë dikund afër 500 metra. Është ndalë tek një plato ku edhe e kemi gjet na, prej ku na i kanë dërguar kordinatat”- kanë njoftuar Shërbimi i Kërkim Shpëtimit Malor.

Të njëjtit kanë thënë për KALLXO.com se personit të lënduar i është dhënë ndihma e parë dhe më pas kanë intervenuar institucionet dhe “e kanë marrë me helikopter të KFOR-it”.

Lidhur me rastin, KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Policia e Kosovës dhe është në pritje të përgjigjes së tyre.