Alpinistja kosovare, Uta Ibrahimi, Foto: Facebook

Alpinistja Ibrahimi: Ecja dhe vrapimi, mënyrat më të mira për promovimin e turizmit malor

Alpinistja e njohur kosovare, Uta Ibrahimi, njëherësh themeluese dhe drejtuese e fondacionit “UTALAYA”, thotë se mënyrat më të mira për promovimin e turizmit malor janë përmes ecjes dhe vrapimit.

Në vitin 2017, Uta Ibrahimi u bë gruaja e parë shqiptare që u ngjitë në  Malin Everest (8,848 metra lartësi), majën më të lartë në botë.

Por angazhimi i saj në alpinizëm nuk përfundoi me kaq.

Në një bisedë për KALLXO.com, Ibrahimi thekson hapësira e Maleve të Sharit veçohet për një ekosistem të pasur dhe një prej vendeve më atraktive për zhvillim të turizmit malor, sidomos ecjeve dhe vrapimeve përgjatë këtij mali.

Në vazhdimësi të eksplorimit të natyrës, një garë ndërkombëtare e vrapimin malor është mbajtur në fillim të shtatorit të këtij viti në Malet e Sharrit, nën organizimin e alpinistes.

Ajo flet për organizimin e garës ndërkombëtare  “High Scardus Ultra”.

Gara ‘High Scardus Ultra’. Foto: Facebook/ HSU.

“Gara ka filluar në Kodrën e Diellit në Tetovë dhe ka përfunduar në Prizren, vrapuesit ka përshkruar një shteg që kalon nëpër majat e larta të Malit të Sharit, katundet e liqenet e këtij mali. Krejt ideja ka qenë për turizëm dhe për ta promovuar Malin e Sharrit”- tha ajo.

Sipas saj, vetën numri i pjesëmarrësve në këtë garë, ku morën pjesë 150 vrapues nga 14 shtete të botës, është një tregues për mundësitë e që ka vendi për zhvillim të turizmit malor.

E veçanta e kësaj gare të parë ndërkombëtare, thotë alpinistja Ibrahimi është se ka përshkruar dy shtetet, Kosovën dhe Maqedoninë e veriut.

“Veçantia e garës së vrapimit malor ‘High Scardus Ultra’ është gara 109 km, që ka filluar nga Kodra e Diellit në Maqedoninë e Veriut dhe ka përfunduar në Prizren, Kosovë,  duke kaluar kështu kufijtë malor. Në këtë garë, vrapimi i parë i ka dërguar vrapuesit nga Kodra e Diellit në Maqedoni Veriore deri në Brod, Kosovë; ndërsa vrapimi i dytë i ka dërguar vrapuesit nga Brodi në Prizren”- ka thënë ajo.

Sipas Ibrahimit,  gara ‘High Scardus Ultra’ është organizuar bashkëpunim me organizatën TREX nga Maqedonia Veriore dhe mbështetje nga Shoqata Bjeshkatare “Sharri” Prizren.

Alpinistja shqiptare, Uta Ibrahimi, rrugës për në majën më të lartë të botës – Foto: Facebook

“Kjo gara u zhvillua si projekt i përbashkët ndërkufitar që ka përfshirë komunitetet lokale, duke ofruar aventura të paharrueshme në malet e Sharrit në të dy anët e kufirit”-tha alpinistja Ibrahimi, për KALLXO.com.

Për qëllim të promovimit, thotë ajo është realizuar edhe një video për dhe rreth garës.

Organizimi i garës “High Scardus Ultra” është mbështetu nga  Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), si dhe një sërë institucionesh publike e private nga Kosova e Maqedonia e Veriut.

Edicioni i parë garës “High Scardus Ultra”,  i organizuar nga Fondacioni “Utalaya”  është mbajtur nga 2 deri më  4 shtator 2022.