Ganimete Musliu padit ministrin Faton Peci

Deputetja e Partisë Demokratike, Ganimete Musliu, ka paditur ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci.

Shkak për këtë padi u bë një diskutim i para disa ditëve në komision parlamentar ku po raportonte ministri Faton Peci.

Pas një debati të ashpër, deputetja Ganimete Musliu kishte hedhur ujë në drejtim të ministrit, derisa pas kësaj ngjarje kishte paralajmëruar padi ndaj tij duke pretenduar se janë bërë shpifje ndaj saj.

“Ashtu siç edhe ju kam njoftuar se do të ngre padi ndaj ministrit Peci, unë sapo e bërë këtë në Gjykatën Themelore. Ai do të ballafaqohet me mua në gjykatë për shpifjet e tij të ulëta me qëllim të dëmtimit të reputacionit tim publik si dhe dëmtimit të imazhit tim si deputete dhe përfaqësuese e popullit në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Musliu në një konferencë për media.

Musliu u shpreh se ministri Peci i ka gënjyer dhe i ka mashtruar fermerët dhe bujqit e Kosovës.

“Ministrit i ka penguar adresimi i çështjes që unë e kam ngritur dhe në mungesë të fakteve dhe argumenteve ai degradon me akuza të ulëta ndaj meje dhe ndaj PDK-së”, tha deputetja.

Ajo tha se Ministri Peci për këto shpifje do të japë llogari në gjykatë.

“Unë në asnjë mënyrë nuk do të lejojë që jo zotëri Peci por asnjë ministër dhe askush tjetër të ma ndalojë të adresojë çështjet që kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve”, u shpreh më tutje ajo.

‘Ti je rrugaç’ – deputetja Musliu gjuan më ujë ministrin Faton Peci