Deputetja Musliu paralajmëron padi për ministrin Peci

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga PDK, Ganimete Musliu ka paralajmëruar padi ndaj ministrit të Bujqësisë, Faton Peci.

“Akuzat që m’i drejtoi ministri sot, duke më bërë pjesë të krimit të organizuar, për këtë unë do të ngre padi ndaj ministrit Peci dhe do ta mbrojë dinjitetin tim si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Deputetja Musliu ka thënë se ka hedhur ujë në drejtim të ministrit Peci sepse sipas saj ai ka shpifur për të.

“Në momentin kur kryetarja nuk reagon, unë kam të drejtë të reagoj, unë se kam gjuajt askënd me plumb kurrë, as tani. Unë e kam gjuajtur me ujë për ta ndërprerë shpifjen që ishte duke bërë ndaj meje”, tha ajo.

Deputetja Musliu ka sqaruar që nga nëntori nuk ka marrë përgjigje të qartë nga ministri i Bujqësisë për thirrjen për grande, dhe sipas saj ministri Peci pas përgjigjes ka fyer atë.

“Unë kam pyetur në cilën datë është anuluar dhe kur është publikuar në ueb-sajtin e ministrisë, sepse duhet të jetë publik. Dhe në momentin kur i kam bërë pyetje, pas përgjigjes nuk kam pasur mundësi për pyetje shtesë. Pas kësaj ministri ka filluar të më fyej dhe ofendoj se gjoja mu m’i ka ndal grandet, kështu që edhe unë kam kthyer me të njëjtën monedhë”, tha ajo.

Sot raportimi i ministrit Peci në komisionin për Bujqësi është ndërprerë pasi që deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka hedhur ujë në drejtim të ministrit.

“Ti je rrugaç”, i ka thënë deputetja Musliu, ministrit Peci në drejtim të të cilit ka zbrazur gotën e mbushur me ujë.

Në anën tjetër, ministri Peci ka thënë se do ta vazhdoj reformën në ministrinë e tij.

“Nuk ka hajni ma, shko tregoju edhe dostave të tu në PDK, edhe dostave të Ganes, nuk ka më vjedh në ministri të Bujqësisë sa të jam unë aty ministër. Sa të jam unë ministër nuk ka me vjedh hiç aty, ndaq gjuani me plumb qysh keni gjujtë në të kalumen, ndaq gjuani me ujë, nuk ka kush që më ndal mua me luftu krimin dhe korrupsionin”, tha ai

‘Ti je rrugaç’ – deputetja Musliu gjuan më ujë ministrin Faton Peci