Ministrisë së Bujqësisë i kthehet prona të cilën e shfrytëzonte një pompë e derivateve

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci e ka cilësuar si “fitore të radhës kundër zhvatësve”, vendimin e Shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, për lirimin e pronës publike në dalje të Prishtinës.

Peci thotë se ky vendim e  hedh poshtë vendimin e shkallës së parë karshi kontestit për lirimin e pronës së Ministrisë së Bujqësisë.

“E përshëndes vendimin e Shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, i cili hedh poshtë vendimin amatoresk e jo-profesional të shkallës së parë karshi kontestit për lirimin e pronës së Ministrisë së Bujqësisë e cila po shfrytëzohet pa marrëveshje kontraktuale nga operatori ekonomik “Patroni””- ka shkruar Peci në Facebook.

Ai ka theksuar se në atë lokacion do të ndërtohet një objekti i ri i Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencive vartëse në mënyrë që të plotësohen kushtet për akreditimin në IPARD.

“Sikurse edhe kemi paralajmëruar, në atë lokacion do të ndërtohet objekti i ri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencive vartëse në mënyrë që t’i plotësojmë kushtet për akreditimin në IPARD”- shtoi Peci.

Ai ka thënë se mbetet i përkushtuar deri në rikthimin e pronës në Uplianë dhe pastrimin e gjendjes në Stankaj të Pejës.

“Mbetem i përkushtuar dhe i vendosur në angazhimin tim si Ministër deri në rikthim të pronës në Ulpianë dhe pastrimin e gjendjes në Stankaj të Pejës! Pa pardon karshi abuzimit me pronën shtetërore! Me drejtësi dhe ndershmëri!”- është shprehur Peci, përmes rrjetit social Facebook.