Ministria e Bujqësisë i jep 180 ditë afat AAK-së që ta lirojë objektin në Prishtinë

Ministria e Bujqësisë, përmes ushtrueses së detyrës së Sekretares së Përgjithshme, Venera Çerkini, e ka njoftuar Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), për prishje të kontratës së qiradhënies, duke kërkuar prej kësaj partie që ta lirojë objektin brenda 180 ditëve.

Në dokumentin e siguruar KALLXO.com, thuhet ndër tjera se Ministria e Bujqësisë këtë objekt do ta shfrytëzoj për nevojat e veta.

“Obligohet Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), nga Prishtina që objektin e marrë me qira ta liroi nga të gjitha sendet dhe njerëzit me datën përfundimtare 20 shtator 2024, si dhe deri me këtë datë duhet të bëjë kompensimin e qirasë sipas nenit 3, paragrafit 1 të kontratës bazë” – thuhet në kërkesë.

Ministria ka kërkuar nga AAK që të zbatojë kërkesën, në të kundërtën ka paralajmëruar se do të ushtrojë padi në gjykatë për lirim të objektit.

Në ndërkohë, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, të premten me 15.03.2024 përmes një postimi në Facebook ka thënë se ka rikthyer mbi 600 metra katrorë të objektit ku gjendet AAK-ja, në pronësi të Ministrisë.

Sipas Pecit, për këtë objekt së shpejti do të fillojë procesi i renovimit.

“Mbetem optimist se instancat e sistemit të drejtësisë do të marrin një vendim meritor që objekti i Ministrisë dhe hapësirat për rreth saj të jenë në shfrytëzim dhe shërbim për titullarin dhe njëherit të mundësohet zbatimi i vendimit tim si Ministër, i marrë me datë 22.08.2023” – kishte shkruar Peci.

Ndërsa Lulzim Blaka, zyrtar i AAK-së, në një prononcim për KALLXO.com të premten, tha se AAK-ja ka kontratë të rregullt me Ministrinë dhe sipas tij, pjesa që është kthyer në posedim të ministrisë, nuk ka qenë në shfrytëzim të AAK-së asnjëherë.

“Këto zyre nuk kanë qenë asnjëherë në shfrytëzim prej neve. Ne e kemi në shfrytëzim vetëm një pjesë të përdhesës dhe katin e parë. Ne paguajmë për këto qera më të lartë në krahasim me çmimin e tregut. AAK ka kontratë për 560m2, 8 euro metri e që i bie 4 mijë e 552 euro” – kishte thënë Blaka.

Më 12.03.2024, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci e pati cilësuar si fitore të radhës vendimin e Shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, për lirimin e një prone publike në dalje të Prishtinës.

Atë ditë, ai pati thënë se mbetet i përkushtuar deri në rikthimin e pronës në Uplianë dhe pastrimin e gjendjes në Stankaj të Pejës.