AAK pajtohet me kërkesën e Ministrisë së Bujqësisë për shkëputjen e kontratës për zyret në Prishtinë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se partia e tij është pajtuar me kërkesën e Ministrisë së Bujqësisë, për shkëputjen e kontratës për shfrytëzimin e zyreve në lagjen “Ulpiana” të Prishtinës.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haradinaj më 18.03.2024, tha se AAK konfirmon shkëputjen e kontratës.

“Pas kërkesës së palës kontraktuese për shkëputjen e njëanshme të kontratës për shfrytëzimin me qera të hapësirave prej 569 m2, me çmim mujor prej 4552 eurosh në muaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, njoftoj opinionin publik se edhe ne si palë kontraktuese konfirmojmë shkëputjen e kontratës nga cilësia e qiramarrësit në afatin e paraparë ligjor”– thuhet në reagimin e Haradinajt.

Në anën tjetër, Ministria e Bujqësisë, përmes ushtrueses së detyrës së Sekretares së Përgjithshme, Venera Çerkini, ka kërkuar prishjen e kontratës së qiradhënies me partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), duke kërkuar prej kësaj partie të lirojë zyret brenda 180 ditëve.

Sipas kërkesës që ka siguruar KALLXO.com, kërkesa për shkëputje të kontratës është bërë pasi që Ministria e Bujqësisë këtë objekt do ta shfrytëzoj për nevojat e veta.

“Obligohet Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), nga Prishtina që objektin e marrë me qira ta lirojë nga të gjitha sendet dhe njerëzit më datën përfundimtare 20.09.2024, si dhe deri me këtë datë duhet të bëjë kompensimin e qirasë sipas nenit 3, paragrafit 1 të kontratës bazë”– thuhet në kërkesë.

Ministria ka kërkuar nga AAK që të zbatojë kërkesën, në të kundërtën ka paralajmëruar se do të ushtrojë padi në gjykatë për lirim të objektit.

Ministria e Bujqësisë i jep 180 ditë afat AAK-së që ta lirojë objektin në Prishtinë