(Foto) Tollovi e mosrespektim distance në qendrën e vaksinimit në Gjakovë

Qytetarëve të Komunës së Gjakovës, të cilët janë regjistruar për t’u vaksinuar kundër COVID-19, nuk po ofrohen kushtet e nevojshme për vaksinim. Ata po presin gjatë kohë në radhë, e madje, sipas disa fotove të siguruara nga KALLXO.com, si pasojë, janë krijuar tollovi të mëdha në hyrje të qendrës.

Në këto fotografi shihen me dhjetëra qytetarë duke pritur në këmbë e në diell për vaksinim.

Në këtë qendër nuk është respektuar as mbajtja e distancës, njëra ndër rregullat kryesore për parandalim të përhapjes së infeksionit.

Për këtë, KALLXO.com ka telefonuar koordinatorin e qendrës së vaksinimit në Gjakovë, Burim Gojani.

Ai thotë se interesimi i qytetarëve për vaksinim është shumë i lartë, brenda ditës vaksinohen mbi 1 mijë qytetarë dhe kjo është arsyeja pse qytetarët janë duke u detyruar të presin jashtë sallës së sportit në shkollën “Fehmi Agani”, e cila, me kapacitetet e ngritura për vaksinim, nuk mund të pranoj gjithë numrin e të interesuarve.

“Ata kanë pritë përjashta për arsye se mos me u bo numri shumë i madh brenda sallës, për arsye se interesimi është shumë i madh, edhe sasia (e vaksinave) që jepet gjatë ditës është shumë e madhe dhe ne nuk mundemi me punu më shpejtë pa i respektu të gjitha procedurat”, tha ai.

Gojani tha se janë rreth 25 persona  – staf shëndetësor të angazhuar në këtë qendër për të vaksinuar qytetarët.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se brenda 24 orëve në Kosovë janë vaksinuar 19 mijë e 248 qytetarë në nivel vendi, përderisa nga fillimi i vaksinimi e deri më tani janë 559 mijë e 7 qytetarë të vaksinuar me vetëm një dozë.

Të vaksinuar komplet apo me dy doza të vaksinës janë 192 mijë e 503 qytetarë.

Në Kosovë janë në dispozicion dy lloje të vaksinave, “AstraZeneca” dhe “Pfizer”.

Aktualisht në nivel vendi janë 5 mijë e 493 raste aktive me COVID-19.