Fitore dhe kualifikim, Trepça në grupet e FIBA Europe Cup

Trepça për herë të parë do të jetë pjesë e grupeve të FIBA Europe Cup. Mitrovicasit në ndeshjen e dytë të grupeve parakualifikuese kanë mundur Parnu Sadam me rezultat 77:67 (11:15, 21:20, 26:19, 19:13), në takimin e zhvilluar në Estoni.

Ndeshjen më mirë e nisën mitrovicasit, me epërsi prej 11:6, por më pas estonezët me seri prej 0:9, e fitojnë këtë pjesë 11:15.

Edhe periudha e dytë ishte e ngjashme me atë të parën, ku fituesit e Superkupës dhe Kupës së Kosovës krijuan epërsi 31:26, megjithatë, estonezët sërish në fund ishin më të mirë dhe pjesa e parë përfundon 32:35.

Periudha e tretë ishte interesante, deri pranë rezultatit 51:50, por kësaj radhe, mitrovicasit kishin seri prej 7:0, sidoqoftë, shifrat në semafor pas 30 minutash ishin 58:54. Në dhjetë minutat e fundit, ‘Xehetarët’ ruajtën epërsinë, madje e shtuan dhe e fituan 77:67.

Trepça me dy fitore në dy ndeshje, kualifikohet në grupet e FIBA Europe Cup. Kjo është historike për skuadrën mitrovicase.

Pjesë e grupeve të FIBA Europe Cup është edhe kampionia e Kosovës, Peja. Më të mirët te mitrovicasit ishin Jordy Tshimanga me 14 pikë e 12 kërcime, Kevin Davis me 17 pikë e tetë kërcime dhe Mikaile Tmusiq me 14 pikë./telegraf/