Foto: KB Trepça, Facebook

KB Trepça triumfon kundër KB Istogut me 33 pikë më shumë

KB Trepça ka mposhtur KB Istogun në Kupën e Kosovës në basketboll, me 33 pikë më shumë.

Ekipi nga Mitrovica shënoi 84 pikë, ndërkaq ai nga Istogu 51.

Kjo ndeshje u luajt sot, më 13.02.2024, në palestrën sportive “Shani Nushi” në Gjakovë.

Ndërsa, një ndeshje interesante tjetër ka filluar në orën 20:00, në të cilën KB Ylli po përballet me KB Vëllaznimin.

Nga sot deri më 17.02.2024 tetë ekipet elitare të basketbollit të Kosovës do të përballen me njëra-tjetrën për titullin e kampionit.

Edhe të mërkurën, më 14.02.2024, do të zhvillohen ndeshje mjaft interesante. Në orën 17:00, KB Peja do të përballet me ekipin nga Prizreni, KB Bashkimi, ndërsa KB Prishtina do të luajë kundër ekipit tjetër nga Prizreni, KB Proton Cable Prizreni nga ora 20:00.

Ekipet fituese nga këto ndeshje do të luajnë në gjysmëfinalen të enjten më 15.02.2024 në “Shani Nushi” në Gjakovë.

Ndërsa, në ditën e përvjetorit të Pavarësisë, më 17 Shkurt, do të luhet finalja e Kupës së Kosovës në ora 17:00.

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka prezantuar rregullat strikte për tifozët, që do të vlejnë për ndeshjet në “Final 8” Kupa e Kosovës në basketboll.

FBK-ja ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës do të ndërmerren masat e nevojshme që ky organizim të kalojë pa incidente.

Sipas njoftimit, Policia do të jetë e vendosur në perimetrin e sigurisë, me ç’rast do të bëjë filtrimin e shikuesve për moslejimin e gjësendeve të palejuara.

Gjërat që nuk lejohen, sipas FBK-së, janë:

  • Mjetet piroteknike;
  • shishet e qelqit pavarësisht madhësisë;
  • shishet e plastikës pavarësisht madhësisë;
  • pijet alkoolike dhe substancat narkotike;
  • ushqim çfarëdo lloji, përveç ushqimit të fëmijëve 24 muajsh;
  • ombrella;
  • armë zjarri ose armë të ftohta apo çfarëdo mjeti tjetër që mund të përdoret si armë;
  • sende të rënda (çanta shpine, karrige të palosshme);
  • kamera profesionale dhe video kamera
  • çdo material promovues racist, ksenofobik, politik, fetar.

FBK-ja po ashtu ka bërë të ditur se kërkohet posedimi i dokumentit identifikues së bashku me biletë, ndërsa ata që nuk posedojnë bileta nuk do të kenë mundësinë të afrohen te portat e palestrës.